04 Tetor 2025 – Kryetarja e Alternativës, Mimoza Kusari-Lila, ka deklaruar se zgjedhjet e reja parlamentare janë të domosdoshme, duke theksuar se kriza aktuale institucionale nuk mund të zgjidhet ndryshe.
Në një intervistë për KosovaPress, Kusari-Lila tha se, para mbajtjes së zgjedhjeve, duhet të arrihet një marrëveshje politike në Kuvend për formimin e një qeverie të përkohshme me mandat vetëm legjislativ, e cila do të miratonte projektbuxhetin për vitin 2026 dhe disa marrëveshje ndërkombëtare të lidhura me fondet e Bashkimit Evropian për Kosovën.
Ajo pranoi se Lëvizja Vetëvendosje, pjesë e së cilës është edhe vetë, nuk i ka numrat për formimin e qeverisë së re, madje as nëse rifillojnë negociatat me Nismën Socialdemokrate.
Kusari-Lila theksoi se, tetë muaj pas zgjedhjeve të 9 shkurtit, Kosova ende nuk ka institucione të reja dhe se Kuvendi nuk është konstituuar, siç ka konstatuar edhe Gjykata Kushtetuese.
“Zgjedhjet janë të domosdoshme, sepse kanë kaluar tetë muaj nga mbajtja e tyre dhe ende nuk kemi Kuvend të konstituuar. Në këtë situatë, vendimi më demokratik është t’iu kthejmë mandatin qytetarëve”, deklaroi ajo.
Sipas Kusari-Lilës, mbajtja e zgjedhjeve të jashtëzakonshme është mënyra e vetme për të krijuar qartësi politike dhe për të hapur mundësi të reja për koalicione të qëndrueshme.