Deputeti i Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës (AAK), Lahi Brahimaj, një ditë para vazhdimit të seancës konstituive të Kuvendit, ka deklaruar se partia e tij do ta respektojë në përpikëri vendimin e Gjykatës Kushtetuese.
Në një prononcim për RTV21, Brahimaj tha se nuk pret ndonjë rezultat konkret për zgjedhjen e nënkryetarit serb, duke theksuar se AAK-ja nuk do ta votojë asnjë kandidat të Listës Serbe për këtë pozitë.
“Në përpikëri prej seancës së parë deri më sot ne kemi respektuar të gjitha ato që kanë dalë nga vendimet e Gjykatës Kushtetuese, dhe kësaj radhe po ashtu do ta respektojmë në plotni. Megjithatë, për Listën Serbe nuk do të ketë votë,” tha ai.
Sipas Brahimajt, Lëvizja Vetëvendosje po e zvarrit qëllimisht procesin e formimit të institucioneve. “Interesi i Kurtit nuk është që të formohen institucionet, por që të vazhdohet ky ngërç në pafundësi,” shtoi ai.
Deputeti i AAK-së tha se grupi parlamentar do të mblidhet paraprakisht për t’u konsultuar, por vendimi i Kushtetueses do të respektohet në tërësi.