Lahuta shqiptare është përfshirë zyrtarisht në Listën e UNESCO-s për Trashëgiminë Kulturore Jomateriale që kanë nevojë urgjente për mbrojtje. Lajmin e konfirmuan sot autoritetet shqiptare të kulturës, duke e cilësuar këtë si një hap të rëndësishëm për ruajtjen e një prej simboleve më të vjetra të identitetit shqiptar.
Dosja e nominimit, e hartuar nga studiuesit Vaso Tole, Shaban Sinani, Rigers Halili, Armanda Hysa dhe Susane Ogge, u dorëzua pranë UNESCO-s në mars 2024.
Lahuta, e pranishme prej shekujsh në trojet shqiptare – nga Malësia e Madhe dhe Dukagjini, te Rugova, Drenica, Plava e Gucia – ka shërbyer si mjet i transmetimit të vlerave të trimërisë, qëndresës, besës dhe mikpritjes.
Ky status i ri nga UNESCO pritet të nxisë masa konkrete për ruajtjen, dokumentimin dhe promovimin e traditës së lahutës në brezat e ardhshëm.

