Ngjarja tragjike me tre viktima në fshatin Majac të Podujevës vazhdon të shoqërohet me versione të ndryshme lidhur me rrethanat e rastit.
Një anëtar i familjes Gashi, i cili ka kërkuar të mbetet anonim, ka deklaruar se disa nga raportimet fillestare nuk janë të sakta.
Sipas tij, familja nuk ka pasur më herët telashe dhe nuk kanë qenë në dijeni për ndonjë lidhje mes të dyshuarës, Ardita Gashi, dhe viktimës, Ilaz Brahimi, 45-vjeçar nga Obiliqi.
Ai ka përshkruar edhe momentet pas incidentit, duke thënë se pasi e dyshuara ka qëlluar Brahimin, është drejtuar te Miradije Gashi, e cila ndodhej në dhomë me renë dhe tre fëmijët.
“Ajo u tha të dalin jashtë sepse kishte diçka për të biseduar me Miradijen. Sapo dolën nga dhoma, u dëgjuan krisma. Ne vrapuam menjëherë, ndërsa ajo ishte mbyllur në dhomën e fëmijëve. Kur vëllai tentoi të hynte, ajo ia drejtoi armën vetes dhe i tha të largohej”, ka deklaruar familjari.
Ai ka mohuar pretendimet se është përdorur armë automatike, duke theksuar se e dyshuara ka përdorur revole.
Ngjarja ndodhi mbrëmjen e 22 marsit, kur Ardita Gashi dyshohet se vrau Ilaz Brahimin, ndërsa plagosi edhe Miradije Gashin, e cila më pas ndërroi jetë në QKUK.
Edhe vetë e dyshuara ishte në gjendje të rëndë si pasojë e vetëplagosjes dhe nuk arriti t’u mbijetojë plagëve.
Ndërkohë, zëdhënësja e Prokurorisë Themelore në Prishtinë, Kaltrina Shala, ka deklaruar se dyshohet që ngjarja ka nisur si pasojë e një mosmarrëveshjeje mes të dyshuarës dhe viktimës.

