Prishtinë, 21 Tetor 2025 – Partitë politike LDK dhe PDK pritet të zhvillojnë nesër takimin e parë për koalicionin e mundshëm në komunën e Prishtinës, në kuadër të raundit të dytë të zgjedhjeve lokale. Ky takim vjen pas zgjedhjeve të 12 tetorit, ku asnjë kandidat nuk arriti të sigurojë shumicën absolute në kryeqytet.
Sipas burimeve të sigurta brenda LDK-së, diskutimet do të zhvillohen mes drejtuesve të shtabeve zgjedhore të të dyja partive, me qëllim mbështetjen e kandidatit të LDK-së, Përparim Rama. Ky lloj bashkëpunimi është parë edhe në zgjedhjet e vitit 2021, megjithëse atëherë koalicioni u ndërpre për shkak të tensioneve politike mes dy partive.
Burime të Front Online bëjnë të ditur se këto bisedime do të vazhdojnë edhe për komunat e tjera të mëdha, përfshirë Prizrenin dhe Pejën.
Zyrtarë të lartë nga të dyja partitë nuk kanë dhënë deklarata zyrtare lidhur me këtë temë, duke ruajtur ende heshtjen për negociatat në zhvillim.
Zgjedhjet lokale në Kosovë u mbajtën më 12 tetor, ku në 21 komuna kryetarët u zgjodhën në raundin e parë, ndërsa në 17 komuna, përfshirë Prishtinën, do të mbahet balotazhi më 9 nëntor. Në zgjedhje morën pjesë rreth 39.58% e votuesve me të drejtë vote në nivel vendi.

