Sipas LDK-së, zgjedhjet e 9 shkurtit kanë reflektuar qartë vullnetin politik të qytetarëve të Kosovës, i cili, sipas tyre, nuk i jep mandat përfaqësues z. Bislimi në një proces kaq të rëndësishëm për të ardhmen e vendit. “Ky vullnet politik nuk i jep mandat z. Bislimit të përfaqësojë Kosovën në një proces kaq të rëndësishëm dhe vendimtar,” thuhet në reagimin e partisë.
LDK e konsideron dialogun me Serbinë si një proces të ndjeshëm që kërkon institucione legjitime dhe përfaqësim të fuqishëm. “Ky proces nuk mund të reduktohet në vendime të njëanshme të një qeverie në detyrë, e cila nuk gëzon më besimin qytetar dhe as shumicën e nevojshme për të marrë përgjegjësi të këtij niveli,” thekson partia, duke paralajmëruar se veprime të tilla rrezikojnë kredibilitetin ndërkombëtar të Kosovës dhe e cenojnë rrugën euroatlantike të saj.
Në përmbyllje, LDK thekson se do të mbrojë me vendosmëri parimin e përfaqësimit legjitim dhe refuzon atë që e quan “improvizim partiak” nga një qeveri pa mandat. “Kosova ka nevojë për përfaqësim të denjë, të fuqishëm dhe mbi të gjitha legjitim,” thuhet në komunikatë.