Prishtinë — Qendra kulturore “BogdaniPolis” ka kënaqësinë t’ju ftojë të merrni pjesë në përurimin e librit poetik me titull “69”, nga autorja Uarda Albunesa. Evenimenti do të mbahet më 24 nëntor 2025, në orën 17:00, në Bibliotekën “Ernest Koliqi” në Prishtinë.
Poeti dhe juristja Uarda Albunesa Gjekaj është një figurë me ndikim në skenën letrare dhe akademike. Ajo ka studiuar në Fakultetin e Drejtësisë dhe ka mbrojtur doktoraturë në fushën e të drejtës së autorit.
Në veprimtarinë e saj letrare, Uarda ka publikuar më parë vëllimin “U” – një koleksion poezie të pasionuar dhe rebel, ku kombinon ndjeshmërinë me një tonalitet të fortë poetik. Tani, me “69”, ajo sjell një pasqyrë më të thellë të ndjenjave – liri, rebelim, intimitet emocional – që ftojnë lexuesin në reflektim dhe vetëdije poetike.
Përpos literaturës, Uarda Albunesa është aktive në fushën e së drejtës: punon si avokate civile dhe ka kontribuar në botime shkencore ndërkombëtare. Ajo është gjithashtu përfshirë në jetën publike, duke qenë anëtare e Këshillit Bashkiak të Shkodrës. Mysafirët janë të ftuar të bashkohen në këtë ngjarje letrare për të festuar së bashku me autoren momentin e rëndësishëm të botimit të “69”, dhe për të dëgjuar nga vetë Uarda rreth inspirimit, mesazheve dhe vizionit pas këtij vëllimi./Qendra.INFO


