Prishtinë, 29 janar 2026 – Një ligjëratë e organizuar në Gjimnazin “Xhevdet Doda” në kryeqytet, ku përfaqësues të Gjykatës Speciale dhe organizatës Youth Initiative for Human Rights (YIHR) u prezantuan para nxënësve rreth funksionimit të Dhomave të Specializuara të Kosovës, ka shkaktuar reagime të ashpra në opinionin publik dhe politik.
Në këtë ligjëratë, përmes një audio-incizimi të siguruar nga VOX Kosova, dëgjohet teksa zyrtarja e Dhomave të Specializuara të Kosovës, respektivisht e Gjykatës Speciale, Ana Profozic, iu shpjegon nxënësve të Gjimnazit “Xhevdet Doda” se sipas aktakuzës së ngritur, krerët e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, por edhe vetë UÇK-ja në përgjithësi, akuzohen për kryerjen e krimeve kundër njerëzimit.
Ky prezantim ka nxitur reagime të forta nga sindikata e mësimdhënësve SBASHK, e cila e ka cilësuar si “të papranueshme përdorimin e shkollave për promovimin e narrativave njëanshme” dhe ka kërkuar moslejimin e aktiviteteve të tilla në institucionet arsimore. Sindikata tha se shkollat duhet të mbeten hapësira edukative dhe jo platformë për përhapjen e përceptimeve që, sipas saj, cenojnë dinjitetin e luftës çlirimtare dhe historinë kombëtare.
Edhe deputeti i Partisë Demokratike të Kosovës, Artan Behrami, ka reaguar me shqetësim, duke kritikuar faktin që menaxhmenti i shkollës e lejoi mbajtjen e ligjëratës, dhe duke e cilësuar si të papranueshme paraqitjen e UÇK-së në mënyrë që sipas tij përçon imazhe negative dhe të njëanshme për përfshirjen e këtij ushtrie në konflikt.
Ligjërata vjen në një kohë kur Dhomat e Specializuara të Kosovës dhe Gjykata Speciale në Hagë janë objekt i debatit publik në vend për mënyrën se si trajtojnë çështjet e krimeve të luftës dhe përfshirjen e ish-udhëheqësve të UÇK-së në procese gjyqësore.
Një qasja e ngjashme informuese, sipas burimeve, ishte përdorur edhe gjatë ligjëratës së mbajtur më herët në Fakultetin Juridik të Kolegjit AAB në prill të viti 2025 ku përfaqësues të Dhomave të Specializuara kishin prezantuar për studentët përmbajtjen e aktakuzave dhe mandatin e gjykatës. egjithatë, ndryshe nga rasti i Gjimnazit “Xhevdet Doda”, ligjërata në AAB nuk kishte nxitur reagime publike apo institucionale, duke u trajtuar si pjesë e debatit akademik universitar./Qendra.INFO
Përfaqësuesit e Dhomave të Specializuara të Kosovës zhvillojnë bashkëbisedim me studentët e AAB-së

