Lille është në kërkim të një klubi blerës për yllin kosovar Edon Zhegrova, por deri tani nuk ka arritur të gjejë interes konkret, përkundër faktit që ka vendosur një çmim prej 20 milionë eurosh për kartonin e tij.
Zhegrova është përjashtuar nga skuadra e parë dhe po stërvitet i vetëm, pas vendimit për të mos vazhduar kontratën që i skadon në verën e vitit 2026. Kjo situatë ka shtyrë drejtuesit e klubit francez të shpejtojnë procesin e shitjes së tij.
Gjatë janarit, Napoli kishte ofruar 20 milionë euro për përfaqësuesin kosovar, por Lille kërkonte më shumë – një lëvizje për të cilën tashmë është penduar, pasi asnjë ofertë e ngjashme nuk është më në horizont.
Sipas mediave franceze, edhe pse vlera e tij në Transfermarkt mbetet 25 milionë euro, interesimi i mëhershëm nga Napoli dhe Milani është zbehur. Ndërkohë, emri i Zhegrovës është përmendur në lidhje me Atalantën, si dhe me klubet angleze Nottingham Forest dhe Newcastle, ndërsa në Turqi, Fenerbahçe po monitoron situatën.
Një nga arsyet për rënien e interesimit është mungesa e aktivitetit të Zhegrovës që nga 14 dhjetori, për shkak të një lëndimi që ka ngritur dyshime mbi formën e tij fizike. Kjo pauzë ka frikësuar klubet e interesuara, të cilat po e vlerësojnë me kujdes rrezikun e një transferimi.
Në sezonin e fundit, 26-vjeçari nga Prishtina ka zhvilluar 21 ndeshje, ka shënuar 8 gola dhe ka dhënë 2 asistime, duke qenë një nga lojtarët më të dalluar të Lille deri në momentin e lëndimit.
Zhegrova iu bashkua klubit francez në janar të vitit 2022 nga FC Basel dhe është tashmë në vitin e fundit të kontratës, çka e bën këtë verë vendimtare për të ardhmen e tij.