Kryetari i Nismës Socialdemokrate, Fatmir Limaj, ka reaguar me emocione të thella pas intervistës së ish-presidentit Hashim Thaçi, e cila u transmetua mbrëmë në emisionin “Rubikon” me gazetarin Adriatik Kelmendi.
Duke folur për media, Limaj e cilësoi këtë paraqitje të Thaçit si një moment të fortë për shumë qytetarë dhe bashkëluftëtarë të ish-presidentit.
“Për ne që kemi qenë pjesë e asaj rruge dhe për patriotët e Kosovës, kjo intervistë ishte një përmallim i vërtetë. Mesazhet e tij ishin të jashtëzakonshme. Shpresoj që qytetarët dhe ata në politikë ta kuptojnë drejt,” u shpreh Limaj.
Ai tha se intervistën e ka ndjekur me emocione të përziera – krenari për rrugëtimin e përbashkët, por edhe trishtim për mungesën e liderëve të atëhershëm në jetën politike të sotme.
“Mbrëmë ndjeva krenari për atë që kemi bërë dhe për faktin që kam qenë pjesë me të. Por, ndjeva edhe trishtim – sepse ai, së bashku me bacën Jakup, Rexhepin dhe Kadrinë, është dashur të jenë këtu sot,” tha Limaj.
Në deklarimin e tij, Limaj theksoi se Hashim Thaçi, me fjalët e tij të matura, ka dhënë mesazhe të fuqishme për gjendjen politike në vend.
“Thaçi ka thënë qartë: ‘Liderët janë të përkohshëm, Kosova është e përjetshme’. Kur kjo del nga goja e themeluesit të shtetit, është mirë që edhe të tjerët ta kuptojnë këtë,” tha ai.
Limaj përfundoi duke shprehur shqetësim për mungesën e zërave racionalë në skenën politike aktuale.
“Na mungojnë ata zëra racionalë në Kosovë. Kemi mbetur si në një udhë jetime, pa ata që e dinë çfarë është politika. Politika nuk është urrejtje,” përfundoi ai.