15 tetor 2025 | Prishtinë – Ka nisur sot një marsh simbolik me motoçikleta nga Prekazi legjendar drejt Hagës, në përkrahje të ish-krerëve të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës: Hashim Thaçit, Kadri Veselit, Jakup Krasniqit dhe Rexhep Selimit, të cilët po përballen me procesin gjyqësor në Dhomat e Specializuara.
Pjesëmarrësit e aksionit, të organizuar nga platforma “Liria ka Emër”, fillimisht kanë bërë homazhe në Kompleksin Memorial të Jasharajve në Prekaz, përpara se të niseshin drejt destinacionit final në Hagë.
Para nisjes, Ismail Tasholli, përfaqësues i platformës, tha se kjo është një thirrje simbolike për drejtësi:
“Është një marsh simbolik, një thirrje për drejtësi. Qëllimi është të mbërrijmë në Hagë, të bëjmë një parakalim të motoristëve dhe të përcjellim mesazhin tonë në Bruksel,” deklaroi Tasholli.
Ndërkohë, Nasim Haradinaj, ish-nënkryetar i OVL-UÇK-së, uroi pjesëmarrësit për një udhëtim të sigurt dhe theksoi rëndësinë e procesit gjyqësor.
“Nëse drejtësia është vlera kryesore, atëherë liderët tanë do të kthehen të pafajshëm. Kjo do të jetë fitore për ne dhe për Kosovën,” tha Haradinaj.
Ai bëri të ditur edhe itinerarin e udhëtimit, ku motoristët do të ndalen në disa pika simbolike të Kosovës si Poklek, Deçan, Gllogjan, Koshare e Mejë, për të nderuar viktimat e luftës.
Pas kalimit në Zürich, grupit do t’u bashkohen motoristë nga Italia, Gjermania dhe Austria, përpara se të vazhdojnë drejt Düsseldorfit, Hagës dhe më pas Brukselit, ku planifikohet përmbyllja e marshit me një tjetër apel për drejtësi.