Kryetari i Lidhjes Demokratike të Kosovës, Lumir Abdixhiku, ka reaguar ndaj sulmeve dhe sulmeve personale ndaj partisë dhe kandidatëve të saj gjatë fushatës zgjedhore. Ai tha se LDK-ja dhe kandidatët e saj janë shndërruar në “tabelë qitjeje” politike.
Në një postim në Facebook, Abdixhiku deklaroi:
“12 tetori do të vijë si përgjigjja më e fortë dhe më e qartë për të gjithë ata mercenarë që kanë vënë LDK-në dhe kandidatët tanë në tabelë qitjeje në këtë fushatë. Le të shajnë. Le të ofendojnë. Kaq dinë, kaq bëjnë. Nuk kemi kohë për ta.”
Ai shtoi se LDK-ja ka zgjedhur të përqendrohet tek qytetarët dhe jo të merret me sulmet e kundërshtarëve:
“Moçalin e madh të pështymave të mbrëmjes, LDK, sikurse dhe populli i Kosovës, ka vendosur ta injorojë. Kemi zgjedhur një rrugë tjetër: të ecim me qytetarë, me njerëzit e ndershëm e të punës dhe përpjekjes; dhe me ta bashkë, të bëjmë fitoren e vjeshtës si nisje të shpresës.”
Deklaratat e Abdixhikut vijnë në kulmin e fushatës zgjedhore, teksa LDK-ja përgatitet për zgjedhjet e 12 tetorit.

