Gjashtë emigrantë të cilët kishin hyrë ilegalisht në Bullgari kanë humbur jetën mbrëmjen e së enjtes, pasi një furgon me targa rumune që i transportonte u aksidentua gjatë një ndjekjeje policore pranë qytetit Burgas, në brigjet e Detit të Zi.
Shefi i Policisë Kufitare, Anton Zlatanov, bëri të ditur se policia kishte tentuar disa herë të ndalonte mjetin, por shoferi refuzoi të ndalonte edhe pas sinjaleve dhe urdhrave policorë. Në përpjekje për të shmangur shiritat me gjemba të vendosur në rrugë, ai humbi kontrollin e furgonit, i cili përfundoi në një liqen.
Përveç gjashtë viktimave, tre emigrantë të tjerë dhe vetë shoferi mbetën të plagosur dhe u dërguan në spital. Nuk dihet ende gjendja e tyre shëndetësore.
Ngjarja ka ndodhur rreth orës 21:30. Policia kishte bërë tre tentativa për ta ndalur automjetin para aksidentit fatal.
Bullgaria mbetet një nga rrugët kryesore të emigrantëve nga Lindja e Mesme dhe Afganistani drejt vendeve të Evropës Perëndimore. Sipas autoriteteve bullgare, vetëm gjatë dy viteve të fundit janë shpërbërë rreth 20 grupe kriminale që merren me trafikimin e emigrantëve.
Zyrtarët theksojnë se presioni migrator mbetet i lartë, megjithëse është ulur rreth 70% në krahasim me vitin e kaluar./Qendra.INFO

