Malishevë — Komuna e Malishevës ka shpallur gjendje të jashtëzakonshme pas vërshimeve të shkaktuara nga reshjet e dendura të shiut që kanë përfshirë këtë zonë gjatë orëve të fundit.
Kryetari i Komunës, Ekrem Kastrati, ka bërë të ditur se që nga orët e mesnatës situata është rënduar ndjeshëm, ndërsa vërshimet kanë shkaktuar dëme të konsiderueshme në disa pjesë të territorit të komunës. Ai theksoi se që nga momentet e para ndodhet në terren së bashku me ekipet emergjente, zjarrfikësit, strukturat komunale dhe Policinë e Kosovës, për të monitoruar nga afër gjendjen dhe për të koordinuar veprimet emergjente.
Sipas Kastratit, vërshimet kanë dëmtuar rëndë infrastrukturën, rrugët, pronat private, tokat bujqësore si dhe objekte të ndryshme, duke krijuar vështirësi serioze për shumë familje në Malishevë.
“Shpreh keqardhjen time më të thellë dhe solidaritetin e plotë me të gjithë qytetarët e prekur nga kjo situatë. Falënderoj ekipet emergjente, zjarrfikësit, Policinë e Kosovës dhe vullnetarët, të cilët po punojnë pa ndërprerë dhe në kushte të vështira për menaxhimin e situatës dhe ofrimin e ndihmës”, ka deklaruar ai.
Kryetari i Malishevës u ka bërë thirrje qytetarëve që të tregojnë kujdes maksimal, të shmangin zonat e rrezikuara, të respektojnë udhëzimet e institucioneve përgjegjëse dhe të bashkëpunojnë me ekipet që po veprojnë në terren.

