Mbretëria e Bashkuar nuk do ta nënshkruajë traktatin e ashtuquajtur “Bordi i Paqes” të presidentit amerikan Donald Trump për shkak të shqetësimeve të saj lidhur me përfshirjen e Rusisë, tha të enjten kryediplomatja britanike Yvette Cooper, shkruan CNN.
Duke folur për BBC-në nga Forumi Ekonomik Botëror në Davos të Zvicrës, Cooper tha se MB e mbështet planin me 20 pika të Trumpit për Gazën dhe se e kanë bërë “të qartë se duam ta luajmë rolin tonë në fazën e dytë të procesit të paqes në Gazë”.
Por kur u pyet nëse MB do t’i bashkohej Bordit të Paqes, ajo tha: “Ka një sasi shumë të madhe pune për t’u bërë”.
“Nuk do të jemi një nga nënshkruesit sot, sepse kjo ka të bëjë me një traktat ligjor që ngre çështje shumë më të gjera, dhe ne gjithashtu kemi shqetësime për faktin që (presidenti rus Vladimir) Putin të jetë pjesë e diçkaje që flet për paqe, kur ende nuk kemi parë asnjë shenjë nga Putini se do të ketë një angazhim për paqen në Ukrainë”, tha Cooper.

