Prishtinë, 20 tetor 2025 — Me propozim të prokurorit special Naim Abazi, Gjykata Themelore në Prishtinë ka vendosur që seanca e sotme në rastin “Banjska” të mbyllet për publikun, pasi do të dëgjohet dëshmitari anonim me kodin A2.
Në këtë rast po gjykohen Vladimir Toliq, Dushan Maksimoviq dhe Blagoje Spasojeviq, të akuzuar për përfshirje në sulmin terrorist të 24 shtatorit 2023 në fshatin Banjskë të Zveçanit. Për ta është veçuar procedura nga të akuzuarit e tjerë, të cilët vazhdojnë të jenë të paarritshëm për drejtësinë.
Prokurori Abazi kërkoi nga gjykata që seanca të zhvillohet me dyer të mbyllura, duke theksuar nevojën për mbrojtjen e identitetit dhe sigurisë së dëshmitarit anonim.
“Kërkojmë nga Gjykata të aprovojë kërkesën e Prokurorisë dhe të urdhërojë që kjo seancë të zhvillohet me dyer të mbyllura, në mënyrë që të respektohen dispozitat ligjore për mbrojtjen e dëshmitarëve”, tha Abazi.
Ndërkohë, avokati Ljubomir Pantoviq, mbrojtës i të akuzuarit Spasojeviq, kërkoi që prokuroria të japë arsyet konkrete pse dëgjimi publik do të ndikonte negativisht tek dëshmitari.
“Ne nuk kemi dëgjuar arsye nga prokurori dhe kërkoj të mos e aprovoni këtë propozim”, deklaroi ai.
Pas debatit mes palëve, kryetari i trupit gjykues, gjyqtari Arben Hoti, mori aktvendim për mbylljen e seancës për publikun gjatë dëgjimit të dëshmitarit anonim A2, me arsyetimin se vendimi synon të garantojë mbrojtjen e dëshmitarëve në përputhje me ligjin.
Rasti “Banjska” lidhet me një nga ngjarjet më të rënda të sigurisë në veri të vendit, ku më 24 shtator 2023 pati përplasje të armatosura mes një grupi serbësh të armatosur dhe forcave të rendit të Kosovës, që rezultoi me viktima dhe të plagosur./Qendra.INFO

