Me dhjetëra qytetarë të Tiranës dhe të ardhur nga qytete të tjera u mblodhën mbrëmjen e së enjtes për të përkujtuar 81-vjetorin e gjenocidit ndaj shqiptarëve të Çamërisë. Në një atmosferë të qetë e solemne, pjesëmarrësit ndezën qirinj në nder të viktimave, duke sjellë në kujtesë njërën nga tragjeditë më të mëdha të historisë moderne shqiptare.
“Çdo qiri i ndezur është një akt kujtese. Një dritë për shpirtin e njerëzve të pafajshëm që humbën jetën mizorisht. Një simbol për të mos harruar dhe për të kërkuar drejtësi – jo hakmarrje,” u tha në mesazhin që shoqëroi ceremoninë.
Përkujtimi i këtij përvjetori theksoi rëndësinë e ruajtjes së kujtesës historike dhe të vazhdimit të kërkesës për drejtësi për krimet e kryera ndaj shqiptarëve të Çamërisë nga forcat greke gjatë vitit 1944.
“Çamëria nuk është vetëm një plagë historike, por një pjesë e pandarë e ndërgjegjes sonë kombëtare. Ashtu si çdo pëllëmbë e trojeve shqiptare, ajo na përket të gjithëve,” u theksua më tej nga organizatorët.
Organizatorët nënvizuan se ky është vetëm fillimi i një serie aktivitetesh për të mbajtur gjallë kujtimin dhe për të ndërkombëtarizuar çështjen çame, në mënyrë paqësore dhe të qëndrueshme.