Prishtinë – Analisti dhe gazetari Lirim Mehmetaj ka komentuar përplasjet e fundit brenda PDK-së, duke u fokusuar tek kryetari i Drenasit, Ramiz Lladrovci. Në një video të publikuar dhe analizuar në emisionin “Debat Plus”, Mehmetaj e ka përshkruar Lladrovcin si “hajgare e dalë nga kontrolli”, duke theksuar se ai nuk ka qëllim të rikthehet në PDK.
Sipas Mehmetajt, Lladrovci më parë kishte vendosur si kusht largimin e Memli Krasniqit nga kryetarllëku për të rikthyer veten, por në intervistën e fundit në “Rubikon” ka shfaqur kushte të reja, që tregojnë se synimi i tij është të vazhdojë viktimizimin personal dhe të ndikojë te PDK-ja, ashtu siç sipas Mehmetajt bëri Vjosa Osmani me LDK-në.
Mehmetaj shton se ky qëndrim i Lladrovcit reflekton një qasje të qëndrueshme ndaj pushtetit dhe nuk nënkupton rikthim në strukturat e partisë./Qendra.INFO
