Gazetari Lirim Mehmetaj ka publikuar mesazhe telefonike që, sipas tij, tregojnë se emërimi i Faruk Mujkës në pozitën e Kryeshefit të Ndërmarrjes Publike “Ibër-Lepenc” është bërë në mënyrë të kundërligjshme dhe me ndërhyrje politike nga Lëvizja Vetëvendosje.
Mehmetaj bëri publike biseda në aplikacionin WhatsApp mes Mujkës, zyrtares së VV-së Dejona Mihali dhe Ministres së Ekonomisë, Artane Rizvanolli. Sipas tij, komunikimet dëshmojnë një skemë emërimesh politike, ku konkursi për pozitën e kryeshefit ka qenë vetëm formalitet.
“Nga këto komunikime kuptohet se emërimi ishte i paracaktuar politikisht dhe në kundërshtim me ligjin, me përfshirjen direkte të zyrtarëve qeveritarë,” ka deklaruar Mehmetaj, duke shtuar se rasti ngre dyshime serioze për abuzim me pushtetin.

