15 tetor 2025 | Prishtinë – Kryetari i Partisë Demokratike të Kosovës (PDK), Memli Krasniqi, ka mbajtur sot një konferencë për media, ku ka folur si për rezultatet e zgjedhjeve lokale, ashtu edhe për raportet politike me partitë e tjera.
Në fjalën e tij, Krasniqi mohoi çdo komunikim apo mundësi bashkëpunimi me Lëvizjen Vetëvendosje, duke theksuar se nuk ka pasur interesim nga ana e kryeministrit në detyrë Albin Kurti për ndonjë bashkëpunim politik, as në të kaluarën e as tani.
“Me Lëvizjen Vetëvendosje unë nuk kam kurrfarë komunikimi. Ne kemi pasur kontakte politike vetëm në raste të caktuara, si kur ka qenë nevoja për të zhbllokuar Kuvendin. I kam takuar të gjithë, përfshirë edhe z. Kurti, por siç duket ai nuk ka qenë i interesuar për bashkëpunim,” – tha Krasniqi.
Ndërsa duke komentuar garën zgjedhore në Drenas, ai e uroi Ramiz Lladrovcin për fitoren e tij, duke shprehur shpresën që ai do të punojë në të mirën e qytetarëve.
“Kryetarit të zgjedhur ia uroj fitoren dhe shpresoj se do të punojë në të mirën e qytetarëve të komunës,” – deklaroi lideri i PDK-së.
Krasniqi theksoi se PDK do të vazhdojë të mbetet forcë opozitare e përgjegjshme, ndërsa paralajmëroi se partia e tij po përgatitet për sfidat politike që e presin vendin në muajt e ardhshëm.