Kryetari i Partisë Demokratike të Kosovës (PDK), Memli Krasniqi, ka reaguar pas përfundimit të numërimit të votave nga Komisioni Qendror i Zgjedhjeve (KQZ), duke shpallur PDK-në si partinë më të votuar në nivel vendi.
“PDK – Partia më e votuar në Kosovë!” – ka shkruar Krasniqi në një postim në rrjetet sociale, duke theksuar se ky rezultat është dëshmi e besimit të qytetarëve në vizionin e partisë për zhvillim dhe qeverisje të mirë.
Sipas të dhënave të publikuara, PDK ka siguruar mbi 187,500 vota, duke u renditur e para në përqindje të mbështetjes në nivel kombëtar.
“Pas përfundimit të numërimit të votave nga KQZ, me mbi 187,500 vota, qytetarët e Kosovës folën qartë edhe në këto zgjedhje lokale: besimi, organizimi dhe vizioni i PDK-së për zhvillim kanë fituar sërish,” – ka deklaruar Krasniqi.
Kryetari i PDK-së ka falënderuar të gjithë qytetarët, kandidatët, anëtarët dhe aktivistët e partisë për angazhimin dhe përkushtimin e treguar gjatë fushatës.
“Ky rezultat është dëshmi e punës sonë të përbashkët, e çdo kandidati, anëtari, aktivisti dhe qytetari që beson se Kosova mundet më mirë,” – ka shtuar ai.
Në fund, Krasniqi ka përcjellë një mesazh për vazhdimësi dhe përkushtim ndaj qytetarëve:
“Faleminderit për çdo votë. Faleminderit për besimin tuaj. Puna jonë vazhdon – në çdo komunë, për çdo qytetar!”
