Abdixhiku ka reaguar pas debatit të krijuar nga deklarata e deputetit të LDK-së, Besian Mustafa, i cili në një emision televiziv tha se partia kishte bërë “gabim trashanik” që kishte votuar Hashim Thaçin për president.
Në një postim të gjatë në rrjete sociale, kreu i LDK-së ka ashpërsuar gjuhën ndaj mediave, opinionistëve dhe kritikëve politikë, duke thënë se ata “u vetëlajmëruan pa u përmendur” dhe se mendojnë se të gjithë sillen rreth krimit, sepse “aty rrotullohen vet”.
“Unë besoj në politikë që s’blihet. Në fjalë që s’paguhen. Në njerëz që nuk shiten. Dhe anëtarësia e LDK-së nuk shitet e nuk blihet. Kjo na dallon. Prandaj dhe i mbroj”, ka shkruar Abdixhiku.
Ai ka theksuar se nuk do të lejojë, siç është shprehur, “botëkuptimin e mercenarëve” të shtrihet brenda LDK-së, duke u zotuar se do ta mbrojë partinë dhe secilin anëtar të saj nga sulmet e jashtme, “edhe po të jetë i vetëm”.
“Mercenarët do të vazhdojnë të ulërasin për LDK-në. Duket se nuk u mjafton partia e tyre. Duan edhe një tjetër ku t’i shtrijnë thonjtë e ndikimit. Nuk ka gjasë”, ka shtuar ai.
Ky është reagimi i dytë i Abdixhikut gjatë ditës, pas një postimi paraprak ku kishte sulmuar ashpër mediat dhe kritikët, duke i quajtur “pazarxhinj” dhe “mercenarë”, çka ka nxitur reagime të shumta në opinionin publik.
Në fund të reagimit, Abdixhiku ka përfunduar me mesazhin se, sipas tij, “zhurma paguhet, por e vërteta jo”, duke theksuar se LDK do të vazhdojë rrugën e saj përpara.

