Kryeministri i Maqedonisë së Veriut, Hristijan Mickoski, ka mohuar me vendosmëri përfshirjen e vendit në konceptin nacionalist “bota serbe”, edhe pse raporti i Parlamentit Evropian i publikuar më 26 qershor ngre shqetësime serioze për ndikimin në rritje të Serbisë, Hungarisë, Rusisë dhe Kinës në vend.
Raportuesi për Maqedoninë e Veriut, Thomas Vajc, në pikën 80 të raportit, thekson se “bota serbe” është një ideologji që po promovohet nga figura brenda qeverisë aktuale dhe se kjo ide është një kanal për rritjen e ndikimit rus dhe kinez nëpërmjet Serbisë dhe Hungarisë.
Në reagimin e tij, Mickoski tha:
“E hedh poshtë një konstatim të tillë. Nuk besoj se një gjë e tillë është e përfshirë në ndonjë raport zyrtar të BE-së. Përkundrazi, prej kur është kjo qeveri, iniciativat si Ballkani i Hapur nuk kanë më asnjë kuptim.”
Por raporti i Vajcit flet ndryshe. Ai tregon se Maqedonia e Veriut ka marrë së fundmi një hua prej 500 milionë eurosh nga Hungaria, me dyshime për origjinë kineze, ndërkohë që theksohet përhapja e propagandës pro-ruse dhe anti-NATO përmes mediave me ndikim serb.
Raporti do të shqyrtohet në seancë plenare më 8 korrik në Parlamentin Evropian.
Edhe pse Mickoski e mohon, raporti është publikuar më 26 qershor, ndërsa në pikën 80, raportuesi Thomas Vajc shkruan se Parlamenti Evropian shpreh shqetësim për të ashtuquajturin koncept “bota serbe”, i cili është përkrahur dhe promovuar pikërisht nga përfaqësues të qeverisë. Vajc pretendon se në këtë mënyrë, përmes Serbisë, por edhe përmes Hungarisë, Maqedonia e Veriut ndodhet nën ndikim të fuqishëm të politikës ruse dhe kineze. Sipas Vajcit, ka të dhëna se shteti rus ka përdorur përfaqësues të mediave serbe për përhapjen e narrativit armiqësor ndaj NATO-s, duke pretenduar se BE-ja po ushtron presion mbi Maqedoninë e Veriut që të heqë dorë nga identiteti i saj. Edhe pse është vërtetuar se subjektet diplomatike kineze kanë financuar propagandë në mediat maqedonase, Hungaria përmendet gjithashtu si aktor në zinxhirin e shteteve që punojnë për avancimin e qëllimeve gjeopolitike të Moskës dhe Pekinit, duke u bërë pjesë e fushatave dezinformuese, kërcënimeve hibride dhe korrupsionit strategjik. Vajc në raportin e tij thekson se vendi së fundmi ka marrë hua prej 500 milionë eurosh nga Hungaria, ndërsa origjina e këtyre parave duket se është nga Kina. Raporti i Vajcit për Maqedoninë e Veriut pritet të shqyrtohet në seancën plenare më 8 korrik./Qendra.Info