13 Tetor 2025 | Qendra.info
Sot bëhen 114 vjet nga lindja e Migjenit (Millosh Gjergj Nikolla), një prej figurave më të ndritura e më tronditëse të letërsisë shqiptare moderne. Ai lindi në Shkodër, më 13 tetor 1911, dhe mbetet i njohur si “poeti i mjerimit”.
Në këtë përvjetor, Qendra Kombëtare e Librit dhe Leximit e kujtoi Migjenin përmes vargjeve të tij të fuqishme e të pavdekshme:
“Shpirt i kryqzuem, mârrzi e vulosun,
është kjo jetë njeriu…
(zgërdhiu, zgërdhiu
deri në kupë të qiellës ironí e poshtun!)
Por… po! po! por diç po due me thanun…
ndoshta ka me ardhun…
ndoshta ka me zbardhun…
një agim i pritun, dit’ e parathanun…”
Migjeni solli në letërsinë shqipe një revolucion shpirtëror dhe estetik, duke thyer me guxim tabutë e kohës dhe duke i dhënë zë dhimbjes, varfërisë, padrejtësisë dhe revoltës njerëzore. Ai përfaqëson pikëkthimin e letërsisë shqiptare të fillimit të shekullit XX, përmes një gjuhe të re – të lirë, të drejtpërdrejtë dhe të përndritur nga humanizmi i tij i thellë.
Në prozë dhe poezi, Migjeni kërkoi njeriun e lirë dhe të dinjitetshëm, larg hipokrizisë fetare dhe shoqërore. Ai u shua shumë herët, më 26 gusht 1938, vetëm 27 vjeç, i sëmurë nga tuberkulozi – por trashëgimia e tij letrare mbetet e pavdekshme.