Preshevë, 1.Shtator/ Qendra.Info
Presheva po përballet me një realitet të dhimbshëm: klasat po zbrazen, fëmijët po ndahen nga shokët e tyre, ndërsa familjet largohen çdo ditë drejt mërgimit. Një ngjarje e ndodhur në ditën e parë të vitit shkollor, e rrëfyer nga regjisorja preshevare Afeida Boriqi, e shpalos në mënyrën më të ndjeshme këtë plagë shoqërore.
Në një klasë të dytë fillore, një fëmijë hyri i gëzuar, i bindur se do ta gjente shokun e bankës, ashtu si vitin e kaluar. Por vendi përkrah tij mbeti bosh. Shoku i tij tashmë kishte ikur bashkë me familjen në Gjermani, si shumë të tjerë para tij.
Ky episod nuk është i izoluar. Migrimi masiv i shqiptarëve nga Presheva po krijon boshllëqe të mëdha në bankat shkollore, ku shumë fëmijë nuk i gjejnë më shokët e ngushtë, duke mbetur me kujtimin dhe shpresën e rikthimit. Një situatë që përveç pasojave demografike e ekonomike, ka edhe një ndikim emocional të madh te gjeneratat më të reja.
Rrëfimi i znj. Boriqi e përshkruan me ndjeshmëri këtë realitet:
“Në shikim të parë duket një fotografi e thjesht: Lisi i ulur në bankë në ditën e parë të klasës së dytë.
Por sot kur u futën në klasë, sytë e çdo fëmije kërkonin shokun ose shoqen e bankës… Përveç Lisit që më kot e priti dhe e kërkoi me sy shokun e tij të bankës.
… Liani ka shku.
Lisi më pa dhe më tha: Thuj msusit po du me ndejt vet në bankë, po e ruj karrigen për shoqin tem kur të kthehet.”
Ky rrëfim nuk është vetëm histori e një fëmije, por një pasqyrim i asaj që po ndodh sot në shumë shkolla të Preshevës. Bankat e zbrazura janë dëshmi e migrimit që po e rrënon të ardhmen, duke marrë me vete fëmijëri të ndërprera, miqësi të këputura dhe shpresa të lëna pezull.
Postimi i plotë:
Në shikim të parë duket një… – Afeida Boriçi Memeti | Facebook