Në seancën e sotme të Kuvendit të Kosovës, Partia Demokratike e Kosovës (PDK) reagoi ashpër ndaj moslejimit të deklarimeve nga ana e kryesuesit të seancës, Avni Dehari. Deputetja Eliza Hoxha doli në foltore me mesazhe të shkruara në letra, në shenjë proteste për, siç tha ajo, censurën ndaj fjalës së lirë të deputetëve të opozitës.
PDK përmes këtyre mesazheve kërkoi respektimin e betimit të dhënë nga deputetët dhe tërheqjen e shumicës nga veprimet që, sipas tyre, po pengojnë funksionimin demokratik të Kuvendit.
Mesazhet e lexuara përfshinin thirrje të tilla si:
•“Respektojeni vendimin e Gjykatës Kushtetuese”
•“Kthehuni në rendin e ditës”
•“Kosova nuk mund të mbahet peng për një emër”
•“Mos e cenoni demokracinë”
•“Ju mund të na ndalni mikrofonin, por zërin tonë jo”
PDK ka akuzuar shumicën parlamentare për bllokim të qëllimshëm të procesit përmes moslejimit të votimeve dhe shmangies nga procedurat e rregullta, veçanërisht në raport me themelimin e një komisioni me votim të fshehtë.