Gazetari dhe ish-deputeti Milaim Zeka ka zbuluar sot detaje të reja lidhur me rastin e arrestimit të Fatmir Shehollit, i cili po hetohet për veprën penale të spiunazhit.
Zeka ka treguar se në momentin e arrestimit, ai ishte duke pirë kafe me Shehollin në një prej hoteleve të Prishtinës, ku kishin qenë duke biseduar për disa përgjime që së fundmi janë bërë publike.
“Gjatë kohës që po pinim kafenë e mëngjesit, po flisnim për disa materiale që më kishte dhënë vetë Fatmiri. Ia shpjegova policisë që këto përgjime na i ka dhënë ai, të printuara dhe të ruajtura në USB,” ka deklaruar Zeka për Periskopin.
Sipas tij, Sheholli i kishte thënë se burimi i atyre përgjimeve ishte “një gjerman”.
Zeka shtoi se kishte bashkëpunuar me autoritetet për të sqaruar origjinën e materialeve dhe se nuk ishte i vetmi që i kishte marrë ato nga Sheholli.
Arrestimi i Fatmir Shehollit, ish-pjesëtar i UDB-së, u krye të enjten nga Prokuroria Speciale me asistencën e Agjencisë së Kosovës për Inteligjencë, nën dyshimet për spiunazh në dëm të sigurisë së Republikës së Kosovës.