Presidenti kroat, Zoran Milanoviq, në fjalimin e tij në Asamblenë e Përgjithshme të OKB-së në New York ka bërë thirrje për një ndërprerje të menjëhershme të gjakderdhjes në Gaza dhe njohje universale të të drejtave politike të popullit palestinez, raporton Anadolu.
Milanoviq theksoi se komuniteti ndërkombëtar po përballet me sfida të frikshme, konfliktet e armatosura janë më të shumta se në çdo kohë që nga Lufta e Dytë Botërore dhe se ato po shumohen dhe intensifikohen, duke mbingarkuar sistemet humanitare dhe duke minuar besimin në aftësinë tonë për të parandaluar ose zgjidhur krizat.
“Në Gaza, dhjetëra mijëra gra dhe fëmijë, qenie njerëzore, para së gjithash, janë vrarë dhe po vriten. Miliona jetojnë pa siguri, ushqim, ilaçe dhe dinjitet themelor njerëzor. Kjo është më keq se një luftë e zakonshme. Është një masakër dhe ne kërkojmë urgjentisht që ajo të ndalet, për ofrimin e sigurt të ndihmës, veçanërisht për fëmijët dhe për lirimin e të gjitha pengjeve”, tha Milanoviq.
Presidenti kroat theksoi se paqja e qëndrueshme mund të vijë “vetëm përmes njohjes universale të aspiratave legjitime politike të popullit palestinez, të cilat janë mohuar prej kohësh”.
“Është koha për ta mbyllur këtë kapitull”, theksoi ai.
Milanoviq gjithashtu iu referua luftës ruso-ukrainase, duke theksuar se shpreson që ajo të përfundojë sa më parë.
“Në Ukrainë, shpresojmë që humbja e pakuptimtë e jetëve njerëzore të përfundojë sa më parë. Ne mirëpresim përpjekjet e fundit diplomatike dhe inkurajojmë një dialog gjithëpërfshirës që mund të rivendosë paqen”, tha Milanoviq.
Milanoviq gjithashtu i kushtoi një pjesë të fjalimit të tij Bosnjë e Hercegovinës.
“Ne bëjmë thirrje për respekt të plotë për rendin kushtetues, sovranitetin dhe barazinë e tre popujve përbërës në Bosnjë e Hercegovinë”, tha ai..
Ai theksoi se të gjitha palët dhe komuniteti ndërkombëtar duhet ta mbështesin Marrëveshjen e Paqes së Dejtonit.
“Respekti për të drejtën e popujve përbërës për të zgjedhur përfaqësuesit e tyre legjitim politik në të gjitha nivelet e qeverisjes është një parakusht themelor për stabilitet dhe përparim të qëndrueshëm në Bosnjë e Hercegovinën evropiane”, tha Milanoviq.