Komisionerja e BE-së për Zgjerimin, Marta Kos, ka dhënë një paralajmërim të qartë për Kosovën dhe Bosnjë e Hercegovinën, duke theksuar se këto dy vende janë të vetmet në Ballkanin Perëndimor që ende nuk kanë nisur miratimin apo zbatimin e reformave brenda Planit të Rritjes së BE-së.
Duke folur në Samitin e Planit të Rritjes, që po mbahet në Tiranë, Kos tha se këto dy vende nuk kanë përfituar ende nga paketa miliardëshe e Bashkimit Europian për shkak të mungesës së progresit, ndërsa në rastin e Kosovës – edhe për shkak të mungesës së institucioneve funksionale.
“Kemi mbushur dy vjet nga fillimi i zbatimit të Planit të Rritjes. Dy nga katër gjithsej. Ky është momenti ideal për të reflektuar. Duhet të jemi të sinqertë: dy nga gjashtë vendet e rajonit ende nuk kanë filluar të miratojnë apo zbatojnë reformat”, tha Kos.
Ajo theksoi se Shqipëria dhe Mali i Zi janë dy vendet me performancën më të mirë, duke miratuar rreth 50% të reformave të dakordësuara.
Në samit, Kosovën e ka përfaqësuar kryeministri në detyrë, Albin Kurti.
Kos nënvizoi se takimi shërben për të vlerësuar ecurinë e deritanishme dhe për të përcaktuar prioritetet e investimeve në pjesën e dytë të Planit të Rritjes, duke shtuar se perspektiva evropiane e rajonit mbetet e hapur.
“Shumë dyer të tjera do të hapen. Europa po ju pret. Ju jeni pjesë e saj – duhet vetëm ta formalizojmë institucionalisht me anëtarësimin tuaj në BE”, deklaroi ajo.

