Magazina QendraQendra
  • Kreu
  • Lajme
  • Sport
  • Lifestyle
  • Shendeti
  • Fejton
  • Kulture
  • Ekonomia
  • Opinione
Home Lajme

Ministria e Bujqësisë akuzohet për kritere të kundërligjshme në tenderin 8-milionësh – një kompani dorëzon ankesë të detajuar në OSHP

Enesa Veseli by Enesa Veseli
26/11/2025
in Lajme
0
Ministria e Bujqësisë akuzohet për kritere të kundërligjshme në tenderin 8-milionësh – një kompani dorëzon ankesë të detajuar në OSHP
0
SHARES
0
VIEWS
Share on FacebookShare on Twitter

Ministria e Bujqësisë, Pylltarisë dhe Zhvillimit Rural po përballet me akuza serioze për vendosjen e kritereve të kundërligjshme dhe diskriminuese në tenderin e madh prej 8 milionë eurosh për ndërtimin e tri objekteve administrative të MBPZHR-së, AZHB-së dhe APK-së, shkruan Demokracia.com.

Një operator ekonomik, kompania “TempO-2 Sh.P.K.” nga Prishtina, ka dorëzuar ankesë të plotë në Organin Shqyrtues të Prokurimit (OSHP), duke pretenduar se ministria ka shkelur disa nene të Ligjit të Prokurimit Publik, ka përgatitur dosje të përshtatur për kompani të caktuara dhe ka vendosur kërkesa që “nuk i shërbejnë projektit, por kufizimit të konkurrencës”.

Sipas dokumentit të dorëzuar në OSHP më 25 nëntor 2025, kompania ankues thotë se ministria ka vendosur kritere të tilla që e bëjnë thuajse të pamundur pjesëmarrjen e operatorëve të tjerë, duke krijuar një terren ku, siç thuhet në dokument “kërkesat janë të dizajnuara për të favorizuar një ose disa operatorë ekonomikë të caktuar”.

Ankesa argumenton se ministria ka shkelur parimin themelor të mosdiskriminimit, të përcaktuar në nenin 7 të Ligjit të Prokurimit Publik. Në dokument theksohet se “AK ka vendosur kritere kufizuese të cilat shihen qartë se i’a ka përshtatur një ose disa OE të caktuar”, ndërsa më tej theksohet se kërkesat e panevojshme kanë krijuar “shpenzime të panevojshme, të cilat vetë operatorët do t’i kalkulojnë në çmimet e tenderimit, duke e dëmtuar interesin financiar të autoritetit kontraktues”.

Në thelb të debatit qëndrojnë sidomos certifikatat ISO të kërkuara nga ministria. Përveç standardeve të zakonshme si ISO 9001, ISO 14001 dhe ISO 45001, ministria ka vendosur që operatorët ekonomikë të posedojnë edhe ISO 9606-1, një certifikatë për saldim industrial, dhe ISO 50001:2018, një certifikatë për menaxhimin e energjisë dhe auditimin energjetik. Sipas ankesës, këto certifikata nuk kanë asnjë lidhje të drejtpërdrejtë me ndërtimin e objekteve administrative që janë subjekt i këtij tenderi.

Në dokument thuhet: “Certifikata ISO 9606-1 dhe ISO 50001:2018 nuk kanë asnjë lidhje me lëndën e kontratës. Projektet e ndërtesave administrative nuk kërkojnë certifikime të tilla. Ato janë të panevojshme, kufizuese dhe jo proporcionale.” Ankesa i referohet edhe interpretimit zyrtar të KRPP-së, ku është theksuar se autoritetet publike nuk lejohen të kërkojnë certifikata që nuk lidhen ngushtë me objektin e kontratës. Ky interpretim ka paralajmëruar që “vendosja e kritereve të panevojshme dhe jo relevante paraqet kufizim të konkurrencës dhe shkelje të parimeve të prokurimit”.

Kompania ankues thekson se ministria ka shkuar edhe më tej, duke kërkuar që këto certifikata të posedohen nga të gjithë anëtarët e konsorciumit, e jo vetëm nga operatori lider apo kompania që kryen punimet ndërtimore. Në ankesë citohet: “Nëse një kompani në konsorcium kryen vetëm punimet e saldimit, pse duhet të posedojë edhe certifikatën e auditimit të energjisë? Kërkesat e tilla janë të paarsyeshme dhe kufizuese.”

Përveç certifikatave, kompania e ankuar pretendon se ministria ka vendosur kërkesa jo logjike edhe për stafin teknik dhe profesional. Një pjesë e kritereve kërkojnë licenca të caktuara nga Oda e Inxhinierëve të Kosovës, edhe pse këto licenca nuk janë detyrim ligjor dhe, sipas ankesës, “nuk e bëjnë një inxhinier më të kualifikuar se të tjerët”. Ankesa thekson se ministria ka kërkuar profile të caktuara të stafit që nuk lidhen me punët që do të kryhen, duke shtuar se “ka mospërputhje të dukshme ndërmjet rolit të stafit dhe licencave të kërkuara”. Në dokument shkruhet: “Disa nga inxhinierët duhet të kenë licencën OIRK A, ndërsa të tjerëve, që janë po aq të rëndësishëm për projektin, nuk u kërkohet asnjë licencë. Kjo tregon qartë se kriteret janë të përshtatura për një operator të caktuar.”

Një tjetër pjesë e ankesës kritikon ashpër kërkesat e ministrisë për pajisjet ndërtimore. Sipas ministisë, operatori duhet të posedojë pajisje me karakteristika të ngushta dhe specifike, si kompresor me peshë të caktuar, ekskavatorë me peshë të saktësuar deri në dhjetë gramë, PickUp 3.5 ton për transport të materialeve, dhe madje edhe ekskavator 27.7 ton me laser – një pajisje që përdoret zakonisht vetëm në operacione të veçanta të rrafshimit dhe jo në ndërtimin e objekteve administrative. Sipas ankesës, këto kritere janë “absurde, të pakuptimta nga pikëpamja teknike” dhe nuk kanë të bëjnë me nevojat reale të projektit.

Në ankesë thuhet: “Pesha e kompresorit nuk përcakton kapacitetin e tij punues. Kërkesat e vendosura janë të dizajnuara për t’iu përshtatur pajisjeve të një operatori specifik.”

Operatori ekonomik ka ngritur shqetësime edhe për mënyrën se si është përgatitur lista e çmimeve, e cila, sipas tyre, është “e thjeshtësuar tej mase, e paqartë, me pozicione pa njësive matëse dhe me artikuj paushall”. Ankesa paralajmëron se një listë e tillë çmimesh “krijon hapësirë të gjerë për keqpërdorime gjatë zbatimit të kontratës, si dhe rrezikon korrektësinë e pagesave për situacionet e punimeve”.

Në dokument thuhet se ministria ka shkelur nenin 27 dhe 69 të Ligjit të Prokurimit Publik, duke përgatitur një dosje tenderi “të hartuar dobët, me kriteret kufizuese, të paqarta dhe jo proporcionale me projektin”. Ankesa e cilëson dosjen e tenderit si “të njëanshme, jo profesionale dhe të rrezikshme për shpenzimin efektiv të parasë publike”.

Në fund, kompania “TempO-2 Sh.P.K.” kërkon nga OSHP-ja që të aprovojë ankesën, të anulojë njoftimin për kontratë dhe ta detyrojë ministrinë që ta rishikojë tërësisht dokumentacionin e tenderit. Në ankesë thuhet: “AK të detyrohet që të eliminojë kërkesat kufizuese, të harmonizojë dosjen me Ligjin e Prokurimit dhe të vendosë vetëm kritere proporcionale me natyrën e projektit.”

Nëse OSHP e vlerëson ankesën si të bazuar, tenderi mund të shtyhet, të ndryshohen kriteret, ose edhe të anulohet, duke e rikthyer procesin në fazën fillestare.

Demokracia.com ka raportuar disa herë mbi këtë tender të Ministrisë së Bujqësisë, si një nga procedurat më të mëdha. Portali ka theksuar se ministria, nën udhëheqjen e ministrit në detyrë Faton Peci, ka shpallur tenderin rekord prej 8 milionë eurosh për ndërtimin e tri objekteve administrative, ndërsa dy herë me radhë ka bërë ndryshime në kriteret e pjesëmarrjes. Në raportimet e mëparshme është theksuar se projekti ka një kohëzgjatje të parashikuar prej 36 muajsh dhe se në dosjen e tenderit janë kërkuar një sërë certifikatash ISO, përfshirë ISO 9001, ISO 14001, ISO 45001, por edhe certifikata të diskutueshme si ISO 9606-1 për saldim dhe ISO 50001:2018 për auditimin e energjisë – kërkesa që nuk gjendeshin në njoftimin fillestar të kontratës. Demokracia.com ka rikujtuar se KRPP, në interpretimin e saj zyrtar, ka paralajmëruar se certifikatat që nuk lidhen drejtpërdrejt me objektin e kontratës janë diskriminuese dhe të palejuara. Raportimet kanë dokumentuar se këto kritere të reja, të shtuar në versionet e mëvonshme të dosjes së tenderit, e ngushtojnë pjesëmarrjen dhe e bëjnë projektin joproporcional për shumë operatorë. /Demokracia.com/

Related

Previous Post

Vazhdojnë aderimet: Ermal Sadiku bëhet pjesë e LDK-së

Please login to join discussion
  • Kreu
  • Lajme
  • Sport
  • Lifestyle
  • Shendeti
  • Fejton
  • Kulturë
  • Ekonomia
  • Opinione

© 2025 JNews - Premium WordPress news & magazine theme by Jegtheme.

×
No Result
View All Result

Recent Searches

Lajme
Shendet
Sport
Kulture
Ekonomi
No Result
View All Result
  • Kreu
  • Lajme
  • Sport
  • Lifestyle
  • Shendeti
  • Fejton
  • Kulturë
  • Ekonomia
  • Opinione

© 2025 JNews - Premium WordPress news & magazine theme by Jegtheme.