Kryetari i Komunës së Prishtinës, Përparim Rama, ka reaguar pas miratimit të buxhetit të Prishtinës për vitin 2026. Buxheti kaloi sot me 33 vota për, tetë kundër dhe asnjë abstenim.
Rama, i cili nuk ishte në seancën e jashtëzakonshme meqë ndodhet në ShBA, ka thënë se kalimi i buxhetit të kryeqytetit është imazhi më i qartë se si funksionon demokracia kur asambleistët janë aty për të ndërtuar e jo për të bllokuar dhe sabotuar, shkruan Reporteri.net.
“Kjo është diferenca mes politikës së së kaluarës, që e mbante Kryeqytetin peng, dhe qeverisjes që zgjedh të ecë përpara me vizion, guxim dhe vendimmarrje”, ka shkruar Rama.
Sipas tij, kjo mendësi është themeli i zhvillimit.
“Vetëm kur institucionet çlirohen nga kultura e bllokadës, hapet rruga për planifikim serioz, investime strategjike dhe projekte që prekin jetën e qytetarëve. Sot, si Kryeqytet, kemi kënaqësinë dhe përgjegjësinë politike të flasim për zhvillim urban, mirëqenie dhe të ardhme, e jo për sabotime, kriza artificiale dhe interesa të ngushta partiake”.
Tutje ka thënë se ky buxhet nuk është thjeshtë document financer, por deklaratë politike.
“Është mesazh i qartë se Prishtina ka zgjedhur qeverisjen demokratike, përgjegjësinë, të ardhmen”, ka shkruar Rama./Reporteri.net

