Hagë, 23 tetor 2025 – Në rastin që ngarkohet me akuza për vepra penale kundër administrimit të drejtësisë ndaj ish-presidentit të Kosovës, Hashim Thaçi, dhe bashkë të akuzuarve Bashkim Smakaj, Isni Kilaj, Fadil Fazliu dhe Hajredin Kuçi, Gjyqtarja e procedurës paraprake Marjorie Masselot ka miratuar kërkesën e Zyrës së Prokurorit të Specializuar (ZPS) për zbulimin e materialeve shtesë.
Vendimi është marrë më 17 tetor 2025, duke i lejuar Prokurorisë që të përfshijë këto materiale në listën e provave të dorëzuara së bashku me dosjen paraprake, raporton Betimi për Drejtësi.
Kërkesa e Prokurorisë
Më 19 shtator 2025, Prokuroria kishte kërkuar autorizim për të zbuluar disa materiale shtesë të kufizuara, të cilat përfshijnë të dhëna të nxjerra nga pajisjet elektronike të zbuluara më parë. Sipas ZPS-së, këto materiale ndihmojnë në sqarimin dhe plotësimin e provave ekzistuese, pa shkaktuar paragjykim ndaj të akuzuarve.
Prokuroria argumentoi se procedurat ende ndodhen në fazën paraprake dhe se zbulimi i materialeve të tilla është në interes të drejtësisë dhe i në përputhje me jurisprudencën e Dhomave të Specializuara.
Kundërshtimi i mbrojtjes
Në një përgjigje të përbashkët, mbrojtja e pesë të akuzuarve e kundërshtoi këtë kërkesë, duke pretenduar se përfshirja e materialeve shtesë në listën e provave nuk është në përputhje me rregullat e Dhomave të Specializuara të Kosovës (DhSK). Sipas tyre, Prokuroria mund të përfshijë vetëm provat e zbuluara brenda afateve të përcaktuara, përkatësisht deri më 17 shkurt 2025.
Mbrojtja kërkoi që këto materiale të përjashtohen nga lista e provave dhe që Prokuroria të detyrohet të paraqesë një listë dhe dosje të përditësuar. Ata theksuan se kërkesa e ZPS-së është e vonuar dhe se mungon arsyetimi i vlefshëm për shtyrjen e afateve.
Arsyetimi i gjyqtares Masselot
Në vendimin e saj, gjyqtarja Masselot konstatoi se Prokuroria ka paraqitur arsye të vlefshme që justifikojnë shtyrjen e afatit për zbulim. Ajo theksoi se materialet e kërkuara janë të kufizuara në vëllim dhe kompleksitet dhe se ato nuk sjellin aspekte të reja në çështje, por vetëm sqarojnë apo plotësojnë provat ekzistuese.
Sipas gjyqtares, megjithëse procedurat paraprake kanë hyrë në fazë të avancuar, çështja ende nuk i është kaluar trupit gjykues dhe nuk është caktuar data e fillimit të paraqitjes së provave nga Prokuroria. Prandaj, ekziston kohë e mjaftueshme që mbrojtja t’i shqyrtojë materialet shtesë para fillimit të procesit gjyqësor.
Ajo gjithashtu vlerësoi se kërkesa e mbrojtjes për një procedurë formale të ndryshimit të listës së provave është e panevojshme, pasi kërkesa e Prokurorisë për zbulimin e materialeve shtesë nënkupton edhe përfshirjen e tyre në listë.
Vendimi
Në përfundim, gjyqtarja miratoi kërkesën e Prokurorisë dhe refuzoi kërkesën e mbrojtjes për përjashtimin e materialeve nga lista e provave. Prokuroria u urdhërua që t’i zbulojë materialet shtesë deri më 22 tetor 2025.
Rreth çështjes
Hashim Thaçi ndodhet në Qendrën e Paraburgimit në Hagë që nga nëntori i vitit 2020, ku po gjykohet për krime lufte dhe krime kundër njerëzimit. Në dhjetor 2024, atij dhe bashkëpunëtorëve iu ngrit edhe aktakuza për pengim të administrimit të drejtësisë.
Sipas aktakuzës, Thaçi – së bashku me grupet e lidhura me Fadil Fazliun, Bashkim Smakajn dhe Isni Kilajn – dyshohet se kanë tentuar të ndikojnë në dëshmitarët e Zyrës së Prokurorit të Specializuar gjatë vizitave të datave 2 korrik, 9 shtator dhe 6 tetor 2023 në objektet e paraburgimit në Hagë.
Ndaj Thaçit rëndojnë gjithsej 10 akuza, përfshirë tri për pengim të personit zyrtar, tri për shkelje të fshehtësisë së procedurës dhe katër për mosbindje ndaj gjykatës./Qendra.INFO

