Ministri në detyrë i Financave, Hekuran Murati, ka mohuar raportimet se sivjet do të ketë pagë të 13-të për punëtorët e sektorit publik. Ai i cilësoi këto raportime si lajme të rreme dhe sqaroi se paga e 13-të ishte planifikuar vetëm në projektbuxhetin për vitin 2026.
Murati kujtoi se ligji i buxhetit për vitin 2026 nuk u miratua në Kuvend, pasi sipas tij u kundërshtua nga PDK, LDK dhe AAK-Nisma, duke pamundësuar kështu realizimin e këtij propozimi.
Ai akuzoi opozitën dhe disa media për përhapje dezinformatash, duke thënë se mungesa e një programi konkret po kompensohet me “rrena të vazhdueshme” që synojnë të krijojnë pakënaqësi ndaj qeverisë.
Ministri u bëri thirrje qytetarëve që çdo njoftim që lidhet me Qeverinë ta verifikojnë fillimisht në kanalet zyrtare, duke theksuar se institucionet komunikojnë në mënyrë transparente për çdo vendim.

