Aktualisht në Kosovë, çmimi i dizelit sillet nga 1.74 deri në 1.82 euro për litër, ndërsa benzina nga 1.40 deri në 1.44 euro.
Deputetja e Lidhjes Demokratike të Kosovës, Janina Ymeri ka njoftuar se të premtën do të mbahet një seancë parlamentare.
Kjo seancë do të mbahet për çmimin e lartë të naftës dhe është ftuar nga LDK.
“Me ftesën e Lidhja Demokratike e Kosovës të premten do mbahet seancë parlamentare për çmimet e naftës. Për informim do të diskutohet çfarë po bën Qeveria (kjo kalon se nuk bën gjë) por do diskutohet si përfiton nga kjo gjendje, nga ne qytetarët edhe çfarë do bënte një Qeveri njëmend e Kosovës. Do thuani pse këta çfarë janë, VV?! Këta janë administratorë kolonial, na administrojnë si të ishte Kosova koloni e huaj, komb i huaj, e jo vend i tyre”, ka shkruar ajo ndër tët tjera.
Në lidhje me këtë seancë, Kuvendi i Kosovës nuk ka lëshuar ende një njoftim zyrtar.

Aktualisht, sipas të dhënave nga tregu, çmimi i dizelit sillet nga 1.74 deri në 1.82 euro për litër, ndërsa benzina nga 1.40 deri në 1.44 euro.
Ndërkohë, çmimi furnizues me shumicë ka arritur në 1.74 euro, duke treguar presion të vazhdueshëm në zinxhirin e furnizimit.
Kryetari i Shoqatës së Naftarëve të Kosovës, Fadil Berjani, thekson se pavarësisht rritjes, Kosova vazhdon të ketë çmimet më të ulëta në rajon.
Ai rikujton se periudha më kritike mbetet ajo e fillimit të luftës në Ukrainë, ndërsa aktualisht situata konsiderohet më e stabilizuar krahasuar me atë kohë.
“Qytetarët tanë po shërbehen me çmimet më të lira në rajon, çmimet me pakicë që po aplikohen sot nëpër pikat e karburantit janë: Dizelli: Nga 1.74 euro deri në 1.82 euro ndërsa benzina: Nga 1.40 euro deri në 1.44 euro. Stabilizimi i plotë dhe ulja e çmimeve varet direkt nga ndërprerja e tensioneve dhe konflikteve në Lindjen e Mesme, të cilat po mbajnë nën presion tregjet ndërkombëtare”.
Megjithatë, pasiguria për ditët në vijim mbetet e lartë.
“Nuk mund të paragjykoj se çfarë çmimesh do të kemi në ditët në vijim, pasi ka lëvizje të mëdha në bursa dhe në tregjet ndërkombëtare”.
Deri më tash, MINTI-ja ka caktuar vetëm fitimin maksimal të lejuar për shitjen me shumicë dhe pakicë të derivateve të naftës.
Ulja e tatimeve, akciza prej 0.36 euro dhe TVSH-ja prej 18 për qind të shumës së produktit do ta lehtësonte barrën ndaj bizneseve dhe qytetarëve, thonë ata.
Sipas vendimit, marzha tregtare maksimale e lejuar për shitje me shumicë do të jetë deri në 2 centë për litër, ndërkaq me pakicë deri në 12 centë për litër.
Kosova nuk ka rafineri të veten të naftës, dhe furnizohet tërësisht nga importet.
Nga muaji janar e deri më 23 mars të këtij viti, vendi importoi rreth 130 milionë euro naftë dhe benzinë. Të hyrat e shtetit nga akciza janë rreth 66 milionë euro, kurse nga TVSH-ja mbi 30 milionë.
Vitin e kaluar, sipas të dhënave të Doganës se Kosovës, janë importuar rreth 530 milionë euro naftë dhe benzinë.
Për këto derivate, rreth 350 milionë euro janë tatim për akcizën, dhe mbi 157 milionë euro për TVSH-në.
Furnizimet kryesore vijnë nga Gjermania, Hungaria, Greqia, Shqipëria dhe Emiratet e Bashkuara Arabe, ndërsa një pjesë e konsiderueshme hyn përmes terminalit të Porto Romanos në Durrës.
Kjo varësi strukturore e bën tregun e Kosovës jashtëzakonisht të ndjeshëm ndaj lëkundjeve globale.
Derisa në Kosovë ende nuk ka ndonjë vendim nga institucionet për masa lehtësuese, shtetet e Ballkanit Perëndimor tashmë kanë ndërmarrë hapa të ndryshëm për frenimin e rritjes së çmimeve në pompat e karburanteve.
Konflikti mes Shteteve të Bashkuara të Amerikës dhe Iranit ka shkaktuar probleme të mëdha në zinxhirin e furnizimit global me produkte të naftës, dhe i ka rritur ndjeshëm çmimet e karburanteve kudo në botë.

