Ndërsa misionet njerëzore në hapësirë zgjasin më shumë dhe shkojnë më larg nga Toka, ruajtja e shëndetit të ekuipazheve bëhet gjithnjë e më sfiduese.
Astronautët në Stacionin Ndërkombëtar Hapësinor mund të mbështeten tek telefonatat në kohë reale me Houston-in, dërgesat e rregullta me ilaçe dhe kthimin e shpejtë në shtëpi pas gjashtë muajsh. Por kjo mund të ndryshojë së shpejti, ndërsa NASA dhe partnerët e saj komercialë, si SpaceX i Elon Musk, synojnë misione më afatgjata që do të çojnë njerëzit në Hënë dhe Mars.
Kjo e ardhme e afërt po e shtyn NASA-n të bëjë kujdesin mjekësor në orbitë më “të pavarur nga Toka”. Një nga eksperimentet e para është një asistent mjekësor me inteligjencë artificiale, që po ndërtohet me Google. Ky mjet, i quajtur Crew Medical Officer Digital Assistant (CMO-DA), është projektuar për t’u ndihmuar astronautëve të diagnostikojnë dhe trajtojnë simptomat kur nuk ka mjek të pranishëm ose kur komunikimi me Tokën ndërpritet.
Mjeti është multimodal (përdor zë, tekst dhe imazhe) dhe funksionon brenda platformës Google Cloud Vertex AI.
Projekti funksionon në bazë të një marrëveshjeje fikse abonimi me Google Public Sector, që përfshin koston e shërbimeve në cloud, infrastrukturën e zhvillimit të aplikacionit dhe trajnimin e modeleve, tha David Cruley, inxhinier klientësh në Google Public Sector, për TechCrunch. NASA zotëron kodin burimor të aplikacionit dhe ka ndihmuar në përshtatjen e modeleve. Platforma Vertex AI ofron akses në modele nga Google dhe palë të treta.
NASA dhe Google e kanë testuar CMO-DA në tre skenarë: një dëmtim në kyçin e këmbës, dhimbje në anën e trupit dhe dhimbje veshi. Tre mjekë — njëri prej tyre astronaut — e vlerësuan performancën e asistentit në fazat e vlerësimit fillestar, marrjes së historisë mjekësore, arsyetimit klinik dhe trajtimit.
Rezultatet treguan një nivel të lartë saktësie diagnostike: 74% saktësi për rastin e dhimbjes në anë, 80% për dhimbjen e veshit dhe 88% për dëmtimin në kyçin e këmbës.
Plani i zhvillimit është gradual. Shkencëtarët e NASA-s kanë deklaruar se do të shtojnë më shumë burime të dhënash, si pajisje mjekësore, dhe do ta trajnojnë modelin që të jetë “i vetëdijshëm për situatën” — pra i përshtatur për kushtet e veçanta të mjekësisë hapësinore, si mungesa e gravitetit.
Cruley nuk dha detaje nëse Google planifikon të kërkojë aprovime rregullatore për ta përdorur këtë lloj asistenti mjekësor edhe në klinikat në Tokë, por tha se kjo mund të jetë një hap logjik nëse modeli provohet i suksesshëm në orbitë.
Ky mjet jo vetëm që mund të përmirësojë shëndetin e astronautëve në hapësirë, “por mësimet e nxjerra prej tij mund të aplikohen edhe në fusha të tjera të shëndetësisë,” tha ai.