15 tetor 2025 | Prishtinë — Ish-nënkryetari i Organizatës së Veteranëve të UÇK-së, Nasim Haradinaj, ka komentuar sot rrugëtimin simbolik me motorë drejt Hagës dhe zhvillimet rreth mbështetjes për ish-krerët e UÇK-së, duke mos kursyer as krahasimet mes Edi Ramës dhe Albin Kurtit.
Në një intervistë për emisionin Frontal, Haradinaj u pyet për protestën që pritet të mbahet në Tiranë dhe për rolin që kanë luajtur dy kryeministrat në raport me proceset gjyqësore në Hagë.
Por ai reagoi me tone të forta, duke e quajtur “fyerje” krahasimin mes Kurtit dhe Ramës.
“Ali Asllani ka thënë se s’krahasohet thëngjilli me arin – veç krahasimi është fyes. Ta krahasosh kryeministrin tonë, fatkeqësisht, me kryeministrin e Shqipërisë është e padrejtë, sepse ai [Rama] është duke bërë më shumë se ne dhe po na kritikon që s’po bëjmë mjaftueshëm,” – tha Haradinaj.
Deklarata e tij vjen në kohën kur në Tiranë po përgatitet një protestë mbështetëse për ish-luftëtarët e UÇK-së, ndërsa grupi motoristik me të cilin Haradinaj po udhëton drejt Hagës ka marrë vëmendje të gjerë në opinionin publik.