Prizren – Policia e Kosovës ka konfirmuar se ndaj të gjithë personave të shoqëruar sot në kuadër të hetimeve për manipulim të procesit të votimit në Prizren është caktuar masa e ndalimit prej 48 orësh.
Hetimet lidhen me dyshimet se mijëra vota janë transferuar në mënyrë të paligjshme nga një kandidat për deputet tek një tjetër. Burime brenda organeve të rendit bëjnë të ditur se masa e ndalimit do të zbatohet për shumicën e të shoqëruarve, me përjashtim të rasteve specifike, si persona me probleme serioze shëndetësore apo gra shtatzëna, për të cilët mund të ketë trajtim të veçantë procedural.
Sfida kryesore për institucionet e drejtësisë mbetet sistemimi i të ndaluarve, pasi qendrat e ndalimit në Kosovë nuk kanë kapacitete të mjaftueshme për një numër kaq të madh personash. Sipas burimeve të Sinjalit, një pjesë e të ndaluarve pritet të vendosen në një sektor të burgut të Lipjanit, në hapësirat ku më herët ishin mbajtur të ndaluarit në rastin e skandalit të BKS, si dhe në qendra të tjera të ndalimit në vend.
Vendimi përfundimtar për vendosjen dhe shpërndarjen e tyre do të merret në koordinim të plotë mes Prokurorisë dhe Policisë, në varësi të numrit final të personave që do të përfshihen në masën e ndalimit.
Ndërkohë, hetimet për rastin po vazhdojnë, ndërsa burime të afërta me çështjen konfirmojnë se organet kompetente disponojnë edhe prova elektronike dhe pamje filmike, të cilat dyshohet se dokumentojnë ndërhyrje të organizuar në procesin e numërimit të votave.

