02.10.2025, 14:36 | QENDRA
Federata e Futbollit e Serbisë, në bashkëpunim me FIFA-n dhe Ministrinë e Brendshme të Serbisë, ka shpallur ndeshjen Serbi–Shqipëri si një përballje me rrezikun më të lartë të sigurisë.
Komentatori sportiv Dritan Shakohoxha tha se ka informacione sipas të cilave nuk do të shiten të gjitha biletat për këtë ndeshje, dhe pritet të marrin pjesë rreth 6,000 shikues në stadium.
“Ata janë aq të frikësuar nga huliganët e tyre, saqë nuk mund t’i mbajnë nën kontroll”, deklaroi Shakohoxha për tifozët serbë.
Nga ana tjetër, ish-shefi i sigurimit në Federatën e Futbollit të Kosovës, Bylent Smakiqi, theksoi se UEFA bën gjithçka për të garantuar një ambient të sigurt për lojtarët, stafin dhe tifozët.
“Kur është një ndeshje me rrezikshmëri kaq të lartë, UEFA dërgon dy ose edhe më shumë ekipe sigurie, sepse siguria është prioritet numër një. Kjo është e rëndësishme për të gjithë që ndodhen në stadium”, tha Smakiqi për “Kosova Today”.
Eksperti i sigurisë, Bedri Elezi, vuri në dukje se situata në Serbi është e tensionuar për shkak të protestave të vazhdueshme, gjë që ndikon edhe në organizimin e një ndeshjeje me standarde të larta sigurie.
“Situata në Serbi është e brishtë. Kapacitetet për organizim sigurie nuk arrijnë të plotësojnë standardet e UEFA-s. Për këtë arsye, Beogradi zyrtar ka vendosur që ndeshja të mbahet në një vend ku masat e sigurisë mund të menaxhohen më lehtë”, tha Elezi.
Kjo përballje pritet të jetë një test i madh për autoritetet sportive dhe sigurie, duke pasur parasysh tensionet politike dhe atmosferën e tensionuar ndërmjet dy kombeve.