Tiranë, 18 Tetor 2025 – Protesta e zhvilluar një ditë më parë në Sheshin “Skënderbej” në përkrahje të ish-krerëve të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës ka ngjallur reagime të shumta në opinionin publik, përfshirë edhe nga figura të njohura politike.
Deputeti Nezir Kraki ka reaguar me një postim të fortë në rrjetet sociale, ku ka tentuar të njollosë protestën, duke lidhur pjesëmarrjen e disa figurave me Fatmir Shehollin – ish-këshilltarin politik, i arrestuar së fundmi në Kosovë për dyshime të bazuara për spiunazh në favor të shërbimit serb BIA.
“Dje n’Tiranë mungoi Fatmir Sheholli. Spiun i Serbisë dhe mik i ngushtë i shumë prej atyre që ishin në rreshtin e parë. Serbia ka shumë Fatmir Sheholla në mesin tonë, prandaj gjykata speciale u realizua aq shpejt dhe pati aq shumë lobues,” – shkroi Kraki në postimin e tij.
Kjo deklaratë vjen vetëm pak ditë pas arrestimit të Shehollit nga Policia e Kosovës dhe Agjencia Kosovare e Inteligjencës, me vendim të Gjykatës Themelore të Prishtinës për paraburgim 30-ditor. Ai akuzohet për mbledhje dhe shpërndarje të informacioneve konfidenciale për interesa të Serbisë, ndërsa çështja po hetohet nga Prokuroria Speciale.
Për momentin, nuk ka ndonjë reagim zyrtar nga organizatorët apo pjesëmarrësit e protestës lidhur me deklaratën e Krakit. Megjithatë, komentet e tij janë cilësuar nga disa analistë si përpjekje për të diskredituar protestën dhe për të përçarë opinionin publik lidhur me mbështetjen për ish-krerët e UÇK-së që po gjykohen në Hagë.
Protesta në Tiranë u organizua nga shoqata dhe individë nga Shqipëria, Kosova dhe diaspora, me kërkesën për drejtësi dhe me mesazhin që “UÇK nuk mund të trajtohet si organizatë kriminale”.