A është në prag kolapsi marrëdhënia mes Donald Trump dhe Vladimir Putin? Kjo është pyetja që shtrojnë analistët në Moskë dhe Washington, ndërsa një artikull i fundit i BBC-së rikthen metaforën e fuqishme të trenave për të përshkruar tensionet SHBA–Rusi.
Sipas tabloidi rus Moskovsky Komsomolets, “një përplasje kokë më kokë duket e pashmangshme”. Në këtë metaforë, “lokomotiva Trump” dhe “lokomotiva Putin” janë tashmë në lëvizje të pakthyeshme drejt njëra-tjetrës, asnjëra nuk ngadalëson, asnjëra nuk ndryshon shina.
Nga njëra anë, Vladimir Putin vazhdon “Operacionin Ushtarak Special” në Ukrainë, me gazin deri në fund, duke refuzuar çdo ide për armëpushim të gjatë. Nga ana tjetër, Trump po i fryn zjarrit me ultimatume 10-ditore, kërcënime për sanksione, tarifa kundër Indisë e Kinës, dhe më e fundit: zhvendosja e dy nëndetëseve bërthamore pranë Rusisë.
Kur në lojë futen nëndetëset bërthamore, nuk është më fjalë për retorikë. Por a jemi me të vërtetë në prag të një përplasjeje gjeopolitike? Apo vizita e Steve Witkoff-it në Moskë, i dërguari i posaçëm i Trump, është prova se pas këtij gare nervash, fshihet ende një përpjekje për marrëveshje?
Lapsi.al sjell më poshtë analizën e plotë të BBC InDepth mbi këtë përballje në horizont mes dy prej figurave më të paparashikueshme të kohës sonë.
Një fillim i ngrohtë pas rikthimit të Trump-it
Në javët e para të presidencës së dytë të Trump, Moska dhe Uashingtoni dukeshin se ishin në rrugën e duhur për të rinisur marrëdhëniet e tyre dypalëshe.
Asnjë shenjë përplasjeje kokë më kokë. Përkundrazi. Në disa raste dukej sikur Vladimir Putin dhe Donald Trump ndodheshin në të njëjtin vagon, duke lëvizur në të njëjtin drejtim.
Në shkurt, Shtetet e Bashkuara u rreshtuan përkrah Rusisë në OKB, duke kundërshtuar një rezolutë të hartuar nga Europa që dënonte “agresionin” e Rusisë në Ukrainë.
Në një telefonatë atë muaj, të dy presidentët folën për mundësinë e vizitave reciproke në vendet e njëri-tjetrit. U ndje sikur një samit Putin-Trump mund të ndodhte nga çasti në çast.
Ndërkohë, administrata Trump po ushtronte presion mbi Kievin, jo mbi Moskën, dhe po grindej me aleatë tradicionalë të SHBA-ve, si Kanadaja dhe Danimarka.
Në fjalime dhe intervista televizive, zyrtarët amerikanë ishin ashpër kritikë ndaj NATO-s dhe udhëheqësve europianë.
E gjithë kjo ishte muzikë për veshët e Kremlinit.
Lexo më tej: Tangoja Trump-Putin drejt katastrofës
“Amerika tani ka më shumë të përbashkëta me Rusinë nga sa ka Uashingtoni me Brukselin apo me Kievin,” tha në mars për gazetën Izvestia politologu Konstantin Blokhin nga Qendra për Studime të Sigurisë pranë Akademisë së Shkencave të Rusisë.
Muajin pasues, e njëjta gazetë mburrej:
“Trampistët janë revolucionarë. Ata janë shkatërrues të sistemit. Ata duhen mbështetur në këtë (iniciativë). Uniteti i Perëndimit nuk ekziston më. Gjeopolitikisht nuk është më një aleancë. Trampizmi e ka shkatërruar konsensusin transatlantik me vetëbesim dhe shpejtësi.”
Ndërkohë, i dërguari i Trump-it, Steve Witkoff, ishte bërë një vizitor i rregullt në Rusi. Ai bëri katër udhëtime atje në pak më shumë se dy muaj, duke kaluar orë të tëra në bisedime me Vladimir Putinin.
Pas një takimi, lideri i Kremlinit i dhuroi një portret të Donald Trump-it për ta marrë me vete në Shtëpinë e Bardhë.
Thuhet se Presidenti Trump u ndje “qartazi i prekur” nga gjesti.
Por Presidenti Trump kërkonte më shumë sesa një pikturë nga Moska. Ai donte që Presidenti Putin të pranonte një armëpushim të pakushtëzuar dhe të plotë në Ukrainë.
Frustrimi në rritje i Trump-it
I bindur se Rusia mban tashmë avantazhin në fushën e betejës, Vladimir Putin ka qenë i ngurrueshëm të ndalë luftimet, pavarësisht pretendimit të tij se Moska është e përkushtuar ndaj një zgjidhjeje diplomatike.
Pikërisht për këtë arsye, Donald Trump është frustruar gjithnjë e më shumë me Kremlinin.
Në javët e fundit, ai i ka dënuar sulmet e pandërprera të Rusisë mbi qytetet ukrainase si “të neveritshme”, “të turpshme” dhe ka akuzuar Presidentin Putin se po flet “shumë budallallëqe” për Ukrainën.
Muajin e kaluar, Donald Trump shpalli një ultimatum 50-ditor për Presidentin Putin që të përfundojë luftën, duke kërcënuar me sanksione dhe tarifa. Më pas ai e reduktoi afatin në dhjetë ditë. Afati skadon në fund të kësaj jave. Deri tani, nuk ka asnjë shenjë që Vladimir Putin do të dorëzohet ndaj presionit nga Uashingtoni.
Nga ana tjetër, sa shumë presion ndien realisht Vladimir Putin?
“Për shkak se Donald Trump ka ndryshuar kaq shumë afate dhe është shtrembëruar sa andej e këtej, nuk mendoj që Putini e merr seriozisht,” beson Nina Khrushcheva, profesore e marrëdhënieve ndërkombëtare në universitetin The New School, në qytetin e Nju Jorkut.
“Putini do të luftojë për aq kohë sa të mundet, ose derisa Ukraina të thotë: ‘Jemi lodhur, jemi të gatshëm të pranojmë kushtet tuaja.’
“Mendoj se Putini rri aty në Kremlin dhe mendon se po përmbush ëndrrat e carëve rusë, dhe më pas të sekretarëve të përgjithshëm si Josif Stalini, duke i treguar Perëndimit se Rusia nuk duhet trajtuar me mungesë respekti.”
Një marrëveshje është ende e mundur
Nga tabloja që e deritanishme , mund të duket sikur një përplasje kokë më kokë mes lokomotivave Putin dhe Trump është e pashmangshme.
Jo domosdoshmërisht.
Donald Trump e sheh veten si një negociator të madh, dhe nga ajo që duket, ai nuk ka hequr dorë nga përpjekja për të siguruar një marrëveshje me Vladimir Putinin.
Steve Witkoff pritet të rikthehet në Rusi këtë javë për bisedime me liderin e Kremlinit. Nuk e dimë çfarë lloj oferte mund të sjellë me vete. Por disa komentues në Moskë parashikojnë se do të ketë më shumë karota sesa shkop. Nuk kaloi pa u vënë re fakti që të dielën Presidenti Trump tha se Rusia “duket se është mjaft e mirë në shmangien e sanksioneve.”
Të hënën, Ivan Loshkarev, pedagog i teorisë politike në Universitetin MGIMO në Moskë, i tha gazetës Izvestia se për të lehtësuar dialogun, z. Witkoff mund të paraqesë “oferta bashkëpunimi të favorshme [për Rusinë] që do të hapeshin pas një marrëveshjeje për Ukrainën.”
A mund të mjaftojë kjo për të bindur Kremlinin të bëjë paqe pas tre vitesh e gjysmë lufte?
Nuk ka asnjë garanci.
Sepse deri tani, në Ukrainë Vladimir Putini nuk ka lëvizur nga kërkesat e tij maksimaliste për territorin, neutralitetin e Ukrainës dhe madhësinë e ardhshme të ushtrisë ukrainase.
Donald Trump dëshiron një marrëveshje. Vladimir Putin dëshiron fitoren.
Përgatiti ©LAPSI.AL