Një qytetar me inicialet S.S. pretendon se është viktimë e një keqtrajtimi institucional pas akuzave për “dhunë në familje” të ngritura ndaj tij, ndërsa vetë ai ka dorëzuar kallëzim penal kundër ish-bashkëshortes A.S., duke pretenduar manipulim të provave dhe mosveprim të organeve të hetuesisë.
Nga viktimë në të akuzuar
“Unë jam shpallur në kërkim policor nga Stacioni Policor në Gjilan, pa u thirrur asnjëherë për të qenë prezent, dhe jam arrestuar pa më lejuar qasje në gjësendet e mia personale,” i ka thënë për Qendra.INFO S.S.
Ai shton se, sipas tij, “rasti është inskenuar nga ish-bashkëshortja ime A.S., së bashku me familjen e saj, të cilët kanë montuar dhe prerë një incizim në atë mënyrë që fjalët e mia të duken kërcënuese”.
“Gjithashtu, ajo pretendon se ka pasur dhunë fizike nga ana ime më datë 27–28 shkurt 2023, ndërsa unë, përmes veturës, kam kaluar kufirin kroat më 23 shkurt 2023,” përfundon S.S.
Pretendimet për manipulim dhe mosveprim institucional
Në dokumentet e siguruara nga portali Qendra.INFO, rezulton se S.S. është arrestuar pas një urdhër-arresti të lëshuar nga Policia e Gjilanit, pa qenë thirrur më parë për sqarime. Ai pohon se videoja kryesore mbi të cilën bazohet aktakuza është e manipuluar, e montuar dhe e sinkronizuar në mënyrë që fjalët e tij të duken kërcënuese.
Në shkresat zyrtare, ai thekson se ka dorëzuar prova – përfshirë mesazhe, audio, video dhe dëshmi të udhëtimit jashtë vendit në datat kur pretendohet se ka ndodhur dhuna – por që Prokuroria Themelore në Gjilan dhe Gjykata nuk i kanë marrë parasysh.
“Kam dorëzuar prova që dëshmojnë pafajësinë time më 16 korrik 2025, por institucionet kanë heshtur. As Policia, as Prokuroria nuk reaguan, ndonëse kishin detyrim ligjor të verifikonin manipulimin e incizimit,” shkruan ai në komunikimin zyrtar me Prokurorinë.
Prokuroria: “Rasti është duke u trajtuar” – por pa transparencë
Në përgjigjen e datës 8 tetor 2025, Prokuroria Themelore e Gjilanit konfirmon vetëm se ka ngritur aktakuzë ndaj të pandehurit për dhunë në familje, duke shtuar se kallëzimi penal i S.S. është “në trajtim”.
Megjithatë, nuk ka asnjë informacion konkret nëse janë hetuar provat e dorëzuara apo nëse është kërkuar ekspertizë e pavarur mbi incizimet që pretendohet se janë manipuluar.
Kjo heshtje ka ngritur dyshime të forta për neglizhencë procedurale, sidomos kur dihet se ankesa për manipulim provash kërkon reagim të menjëhershëm sipas Kodit të Procedurës Penale.
Avokati që heshti dhe institucionet që mbyllën sytë
Sipas parashtresave, avokati i parë i S.S., i caktuar nga shteti, nuk ka dorëzuar asnjë provë në mbrojtje të klientit të tij – fakt që ai e ka zbuluar vetëm pas ndërrimit të mbrojtësit.
“Asnjë provë në dobi timen nuk ishte dorëzuar nga avokati im. Kjo përbën neglizhencë profesionale që më ka dëmtuar rëndë,” thekson S.S. në parashtresën drejtuar organeve gjyqësore.
Në një vend normal, një pretendim i tillë do të duhej të mjaftonte për të hapur hetim disiplinor ndaj mbrojtësit dhe për të rishikuar aktakuzën. Por në këtë rast, reagimi mungoi.
Kallëzimi penal i S.S. kundër A.S. është dorëzuar më 23 shtator 2025, por deri më sot nuk ka asnjë njoftim nga Prokuroria për ecurinë e hetimeve. Ky vonim, sipas ekspertëve të drejtësisë, bie ndesh me afatet ligjore të veprimeve hetimore, duke e bërë rastin shembull tipik të neglizhencës institucionale.
Drejtësia nën hije
Rasti PP.II.nr.12/2025 është më shumë sesa një konflikt mes dy ish-bashkëshortësh — është një pasqyrë e zymtë e një sistemi ku drejtësia shpesh funksionon me një sy të mbyllur.
Kur një qytetar dorëzon prova, paralajmëron manipulim dhe kërkon barazi para ligjit, heshtja e institucioneve nuk është thjesht burokraci – është padrejtësi.
S.S. pret që rasti i tij të trajtohet me seriozitet dhe paanshmëri, ndërsa kërkon hetim të pavarur për manipulimin e mundshëm të provave dhe përgjegjësinë e atyre që, përmes veprimit ose mosveprimit, mund të kenë cenuar të drejtën e tij themelore për një proces të drejtë gjyqësor.
Deri atëherë, drejtësia në Gjilan mbetet nën hije – aty ku heshtja tingëllon më fort se zëri i ligjit./ Qendra.INFO
Vërejtje:
Portali Qendra.INFO posedon dokumente me vula apostile, incizime audio-video, mesazhe dhe prova të tjera lidhur me rastin. Megjithatë, për shkak se çështja është ende në proces gjyqësor, redaksia ka vendosur të mos i publikojë deri në përfundimin e procedurave ligjore., në respekt të parimit të prezumimit të pafajësisë dhe transparencës së drejtësisë.

