Rajoni i Azisë Lindore po përballet me një valë të jashtëzakonshme të të nxehtit, me temperatura rekord që kanë çuar mijëra njerëz në spitale dhe kanë shkaktuar viktima në Japoni dhe Korenë e Jugut. Autoritetet në të dy vendet u kanë bërë thirrje qytetarëve që të marrin masa mbrojtëse për të shmangur pasojat e rënda të vapës ekstreme.
Në Japoni, temperatura arriti një rekord historik prej 41 gradë Celsius, duke shënuar ditën më të nxehtë të regjistruar ndonjëherë në vend. Vetëm në javën deri më 21 korrik, mbi 10,800 persona kërkuan ndihmë mjekësore për shkak të lodhjes dhe sëmundjeve të lidhura me të nxehtin — më shumë se gjysma e tyre ishin mbi moshën 64 vjeç. Deri tani janë raportuar 16 viktima, sipas Agjencisë së Menaxhimit të Zjarreve dhe Fatkeqësive.
Në Korenë e Jugut, situata është po aq shqetësuese. Vendi është përballur me 22 net tropikale radhazi këtë muaj, një rekord sipas Zyrës Meteorologjike të Koresë. Autoritetet raportojnë se 13 persona kanë humbur jetën si pasojë e të nxehtit deri më tani këtë vit – një rritje trefish krahasuar me të njëjtën periudhë të vitit të kaluar.
“Nxehtësia po akumulohet çdo ditë për shkak të kushteve të zgjatura dhe valëve të ngrohta që vijnë nga Paqësori i Veriut,” shpjegoi Youn Ki-han, drejtor i parashikimeve meteorologjike në Seul. Ai theksoi se ky fenomen nuk është më një përjashtim, por po bëhet një realitet i përsëritur.
Popullatat e moshuara janë veçanërisht të rrezikuara në të dy vendet, ku përqindja e njerëzve mbi moshën 65 vjeç është ndër më të lartat në botë.
Autoritetet po bëjnë thirrje për hidratim të vazhdueshëm, qëndrim në ambiente të freskëta dhe shmangie të aktivitetit fizik gjatë orëve të pikut të vapës.
Meteorologët paralajmërojnë se vala e të nxehtit mund të zgjasë edhe për disa javë, duke rritur rrezikun për më shumë viktima dhe shtim të presionit mbi sistemet shëndetësore në të dy vendet.