Prishtinë, 7 janar 2026 – Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, dhe Kryeministri në detyrë, Albin Kurti, kanë uruar qytetarët e besimit ortodoks me rastin e festës së Krishtlindjes, e cila shënohet sot sipas kalendarit julian.
Presidentja Osmani, përmes një postimi në rrjetin social Facebook, ka përcjellë urime për paqe, harmoni dhe mirëqenie në familjet e besimtarëve ortodoks.
“Të gjithë qytetarëve të besimit ortodoks, qoftë që kjo festë t’u jetë burim paqeje, harmonie dhe dashurie në çdo familje, duke afruar zemrat, duke forcuar mirëkuptimin dhe duke sjellë shpresë për ditë më të mira. Uroj shëndet dhe mirëqenie për çdo shtëpi. Gëzuar Krishtlindjen Ortodokse”, ka shkruar Osmani.
Edhe Kryeministri në detyrë, Albin Kurti, ka dërguar një mesazh urimi, duke iu drejtuar veçanërisht qytetarëve nga komuniteti serb të besimit ortodoks.
“Qytetarëve tanë nga komuniteti serb, të besimit ortodoks, të cilët sot festojnë Krishtlindjen sipas kalendarit julian, u uroj festë të lumtur. Qoftë që kjo ditë e shenjtë t’ju sjellë dashuri, mirëqenie dhe lumturi në familjet tuaja”, ka shkruar Kurti.
Ai ka theksuar rëndësinë e harmonisë, mirëkuptimit dhe respektit të ndërsjellë, duke bërë thirrje për solidaritet dhe vepra të mira në shoqëri.
“Le të na bashkojnë veprat e mira dhe vullneti për solidaritet e punë për mirëqenie më të madhe”, ka përfunduar Kurti.

