Prishtinë, 26 tetor 2025 – Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, pritet t’i ftojë partitë politike për konsultime lidhur me formimin e qeverisë së re, duke respektuar afatet dhe përgjegjësitë kushtetuese.
Lajmin e ka konfirmuar për Gazeta Blic këshilltari për media i presidentes, Bekim Kupina, i cili tha se “Presidentja Osmani do t’i ftojë partitë politike për konsultime gjithsesi brenda afatit kushtetues dhe në përputhje me përgjegjësitë kushtetuese”.
Ky zhvillim vjen pas seancës së Kuvendit të Kosovës, ku propozimi për formimin e Qeverisë Kurti 3 nuk mori mjaftueshëm vota për t’u miratuar. Nga gjithsej deputetët e pranishëm, 56 votuan pro, ndërsa katër abstenuan, duke e lënë vendin ende pa qeveri të re.
Presidentja Osmani pritet të nisë rundin e ri të konsultimeve për të përcaktuar hapat e ardhshëm drejt krijimit të institucioneve të reja ekzekutive.

