Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, ka akuzuar Serbinë për ndërhyrje të drejtpërdrejtë në zgjedhjet lokale që mbahen këtë të diel, duke e cilësuar këtë si rastin më flagrant të ndërhyrjes elektorale në Kosovë.
Në një intervistë për A2 CNN, Osmani tha se Beogradi po përpiqet të blejë vota përmes premtimeve për vende pune dhe pensione, në favor të Listës Serbe, partisë që mbështetet publikisht nga qeveria e Aleksandar Vuçiqit.
“Serbia po tenton të blejë vota, duke premtuar gjëra që nuk i takojnë atij shteti. Kjo është shkelje e rëndë e parimit të fqinjësisë së mirë dhe e drejtës ndërkombëtare,” – tha Osmani.
Presidentja shtoi se Serbia po vepron me arrogancë sepse nuk është ndëshkuar kurrë për shkeljet e saj ndaj Kosovës.
“Serbia vazhdon me këto ndërhyrje sepse askush nuk e ka sanksionuar ndonjëherë. Kjo e trimëron Beogradin që të përzihet në punët tona të brendshme e në procesin tonë demokratik,” – theksoi ajo.
Osmani tha se institucionet e sigurisë së Kosovës po bëjnë çmos për të mbrojtur qytetarët serbë nga manipulimet e Beogradit, por paralajmëroi se duhet edhe presion ndërkombëtar ndaj Serbisë për t’i dhënë fund këtij fenomeni.
Alarm të ngjashëm për ndërhyrjen e Serbisë kishte dhënë më herët edhe kryeministri në detyrë, Albin Kurti, i cili kërkoi që ndaj Beogradit të vendosen sanksione.
Zgjedhjet lokale në Kosovë do të mbahen këtë të diel, me Listën Serbe rikthyer në garë pas disa vitesh bojkoti.