Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, ka vlerësuar homologun e saj amerikan, Donald Trump, për mbështetjen e paqes në Ballkanin Perëndimor dhe më gjerë në Evropë.
Në një intervistë për Bloomberg TV, Osmani tha se prania e trupave amerikane në Kosovë përbën pengesën dhe parandalimin më të madh ndaj çdo përshkallëzimi të mundshëm në rajon. Ushtarët amerikanë janë pjesë e misionit paqeruajtës të NATO-s (KFOR), i pranishëm në Kosovë që nga përfundimi i luftës në vitin 1999.
Ajo foli edhe për situatën e brendshme politike, duke theksuar se bllokimi politik ka ndikuar në ngadalësimin e progresit ekonomik, por shprehu shpresën se kjo situatë do të zgjidhet përmes zgjedhjeve të parakohshme të 28 dhjetorit.
Sipas Osmanit, pas zgjedhjeve pritet që klasa politike në Kosovë të tregojë një qasje më konstruktive për bashkëpunim./Qendra.INFO

