Vushtrri, 20 tetor 2025 – Një marrëveshje paszgjedhore është arritur sot në komunën e Vushtrrisë ndërmjet kandidatit të Lidhjes Demokratike të Kosovës (LDK), Xhafer Tahiri, dhe kandidatit të Lëvizjes Vetëvendosje (VV), raporton Periskopi.
Sipas burimeve të mediumit, Tahiri ka nënshkruar këtë marrëveshje pa pasur autorizim nga Kryesia Qendrore e LDK-së dhe pa dijeninë e kryetarit të partisë, Lumir Abdixhiku.
Në një komunikatë të brendshme, Sekretariati i LDK-së ka kujtuar se asnjë degë apo kandidat nuk është i autorizuar të bëjë marrëveshje para certifikimit të rezultateve zgjedhore.
“Kryesia Qendrore e Lidhjes Demokratike të Kosovës nuk ka autorizuar dhe nuk autorizon asnjë koalicion para certifikimit të rezultateve zgjedhore. Çdo veprim individual do të trajtohet në organet më të larta partiake, sipas Statutit të Lidhjes Demokratike të Kosovës,” thuhet në njoftim.
Në zgjedhjet komunale në Vushtrri, sipas rezultateve preliminare, Partia Demokratike e Kosovës (PDK) ka dalë e para me 38.08% të votave, pasuar nga Vetëvendosje me 26.28% dhe LDK me 21.62%.
Aktualisht, komuna e Vushtrrisë udhëhiqet nga Ferit Idrizi i PDK-së, i cili do të garojë sërish në balotazh.
Marrëveshja e Tahirit me VV-në pritet të shkaktojë reagime brenda LDK-së, pasi konsiderohet veprim i njëanshëm dhe në kundërshtim me qëndrimet zyrtare të partisë.

