Qendra Info | 18 Korrik 2025
Vetëm disa ditë më parë, në Beograd është zhvilluar një takim i rëndësishëm politik mes zyrtarëve të lartë të Trupit Koordinues të Qeverisë së Serbisë dhe Ambasadorit të Republikës së Shqipërisë në Serbi, Bardhyl Canaj. Në fokusin e bisedës ka qenë situata politike dhe institucionale në komunat me shumicë shqiptare në jug të Serbisë – Preshevë, Bujanoc dhe Medvegjë – me theks të veçantë në përfshirjen e Partisë Progresive Serbe (SNS), parti e presidentit serb Aleksandar Vuçiq, në pushtetin lokal të Preshevës.
Në takim morën pjesë kryetari i Trupit Koordinues, dr. Aleksandar Martinoviq, dhe ushtruesi i detyrës së drejtorit të shërbimit të këtij institucioni, Nenad Mitroviq. Sipas njoftimit zyrtar, biseda u zhvillua në një atmosferë të hapur dhe konstruktive, me theks në bashkëpunim, stabilitet dhe ruajtjen e marrëdhënieve ndëretnike.
Megjithatë, prapavija politike e këtij takimi flet për një interes të shtuar të Beogradit për të marrë pjesë aktive në formësimin e pushtetit vendor në Preshevë, e cila aktualisht udhëhiqet nga Ardita Sinani – këshilltare politike e Kryeministrit të Kosovës, Albin Kurti, dhe njëherësh kryetare e komunës.
“Ne ishim ne takim me kryetaren e Preshevës, znj. Ardita Sinani, për përfshirjen e përfaqësuesve serbë në pushtetin lokal. Ky është një proces që kërkon kohë, por po ecën në drejtimin e duhur,” ka deklaruar Martinoviq, duke lënë të kuptohet qartë se Partia e Vuçiqit kërkon hapësirë të drejtpërdrejtë në vendimmarrjen lokale të Preshevës.
Në anën tjetër, Ambasadori shqiptar Bardhyl Canaj ka ritheksuar mbështetjen për bashkëpunim institucional dhe ka konfirmuar vazhdimin e angazhimit të Ambasadës së Shqipërisë në çështje që prekin drejtpërdrejt komunitetin shqiptar, përfshirë sfidat me tekstet shkollore në gjuhën shqipe dhe problemet e integrimit të të rinjve për shkak të njohjes së pamjaftueshme të gjuhës serbe.
Zyrtarët serbë kanë kërkuar nga ambasada shqiptare mbështetje për zgjidhjen e çështjeve të ndjeshme në terren, duke përmendur edhe fenomenin e pasivizimit të adresave dhe nevojën për integrim më të madh të shqiptarëve në sistemin institucional të Serbisë.
Burime të Qendra Info thonë se Beogradi po synon të ndërtojë një koalicion të kontrolluar në Preshevë, duke përfshirë përfaqësues të Partisë së Vuçiqit në strukturat vendore, çka do të përbënte një zhvillim të ndjeshëm politik në një komunë që tradicionalisht ka qenë në duart e subjekteve shqiptare.
Qendra Info do të vazhdojë të ndjekë zhvillimet politike në Preshevë dhe komunat përreth, për të informuar publikun në kohë reale mbi çdo tentativë për ndërhyrje apo ndryshim të balancave politike në jug të Serbisë.