Partia Social Demokrate (PSD) ka prezantuar ekipin e saj për zgjedhjet komunale në Prishtinë, duke shpallur ish-ministren e Arsimit, Besa Shahini, si kandidate për kryetare të Komunës.
Ekipi i prezantuar përbëhet nga aktivistë të kahmotshëm që kanë mbrojtur të drejtën për të jetuar në kryeqytet, aktivistë të rinj me ide për përmirësimin e lagjeve dhe profesionistë nga fusha të rëndësishme për jetën e përditshme në qytet. Sipas Shahinit, ky kombinim përfaqëson një vizion të qartë për ta bërë Prishtinën një qytet më të drejtë, më të gjelbër dhe më të jetueshëm për të gjithë.
“Prishtina do të mbetet qyteti ynë i përbashkët, ku secili ndjehet se i përket dhe mund të ndërtojë jetën e vet,” tha Besa Shahini gjatë prezantimit.
PSD ka paralajmëruar se programi i tyre do të fokusohet në përmirësimin e infrastrukturës, transportit publik, hapësirave të gjelbra dhe përfshirjes aktive të qytetarëve në vendimmarrje.