Zëdhënësi i KQZ-së, Valmir Elezi, ka bërë të ditur për KosovaPress se sipas ligjit, çdo parti politike e regjistruar që synon të marrë pjesë në zgjedhje në kuadër të një koalicioni ka detyrimin ta njoftojë KQZ-në për këtë mënyrë të garimit.
Sipas tij, 30 nëntori 2025 është afati i fundit për dorëzimin e këtij njoftimi, çka do të thotë se deri në këtë datë partitë duhet të deklarojnë nëse synojnë të garojnë në koalicion në zgjedhjet e 28 dhjetorit.
“Sipas Ligjit për Zgjedhjet e Përgjithshme, partitë politike të cilat janë të regjistruara në KQZ dhe të cilat duan të marrin pjesë në zgjedhjet e parakohshme përmes koalicionit duhet ta njoftojnë KQZ, respektivisht Zyrën për Regjistrim, Certifikim dhe Kontrollim Financiar të Subjekteve Politike se duan të marrin pjesë në këto zgjedhje në këtë mënyrë. Afati i fundit për të bërë këtë njoftim është data 30 nëntor 2025”, ka thënë Elezi.
Elezi ka theksuar se partia politike e cila vendos të bëhet pjesë e një koalicioni ka detyrimin të respektojë rregullat.
Gjithashtu, deri më 30 nëntor 2025 është afati edhe për partitë politike që ta njoftojnë KQZ-në, respektivisht Zyrën, se nuk duan të certifikohen për pjesëmarrje në zgjedhje./KP

